6 deputetë të GUXO-s brenda LV-së refuzojnë çdo emër tjetër për president përveç Vjosa Osmanit
Gjashtë deputetë të Listës Guxo kanë bërë të ditur se nuk do të votojnë asnjë kandidat tjetër për postin e Presidentit të Kosovës, përveç emrit të Vjosa Osmanit, bëjnë të ditur burime të Gazeta “Minuti” të afërta me zhvillimet brenda koalicionit qeverisës. Sipas këtyre burimeve, deputetët në fjalë i kanë dërguar edhe një shkresë zyrtare kryetarit të Lëvizja Vetëvendosje dhe kryeministrit Albin Kurti, përmes së cilës e kanë bërë të qartë qëndrimin e tyre politik lidhur me procesin e zgjedhjes së presidentit.
Në këtë shkresë, thuhet se grupi prej 6 deputetësh nuk do të mbështesë asnjë kandidat tjetër dhe se në rast se nuk votohet Vjosa Osmani për presidente, ata paralajmërojnë edhe mundësinë e daljes si grup i veçantë parlamentar.
Ky qëndrim pritet të ndikojë drejtpërdrejt në zhvillimet politike dhe në sigurimin e votave të nevojshme për zgjedhjen e Presidentit të ri të vendit, duke shtuar presionin mbi lidershipin e koalicionit qeverisës për të arritur një marrëveshje politike.
Deri më tani, nuk ka një reagim zyrtar nga Zyra e Kryeministrit apo nga drejtuesit e Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me këtë zhvillim.



