
6 futbollistë u larguan nga Drenica brenda verës
Raste të tilla ndodhin rrallë në futbollin evropian, mirëpo tek Drenica këtë verë ishin diçka e përsëritur.
Plotë 6 futbollistë që ishin në planet e klubit dhe trajnerit Bylbyl Sokoli dhe u stërvitën me klubin gjatë përgatitjeve para-sezonale, duke luajtur edhe ndeshje miqësore, në fund vendosën të largohen pa nisur mirë sezoni dhe të bashkohen me ekipe të tjera.
I fundit nga ta ishte Festim Alidema, sulmuesi i krahut që la Drenicën për t’iu bashkuar Ballkanit, raporton Klankosova.tv
Më herët gjatë javës ishin dy futbollistë të tjerë, Vigan Ademi dhe Ardit Topalaj që ishin projektuar të luanin për ekipin nga Skenderaj, por më pas përfunduan tek rivalët e Superligës, Ferizaj.
Kurse lista e futbollistëve që u transferuan dhe larguan nga Drenica pa zhvilluar asnjë ndeshje zyrtare plotësohet edhe me Besfort Dervishajn që kaloi tek Vëllaznimi, Aurel Limanin që u zhvendos tek Ramiz Sadiku dhe Sokol Kiqinën, i cili ishte i pari që nisi një trend të tillë pas një pakënaqësie me trajnerin Sokoli.
Përkundër kësaj situate jo të favorshme, Drenica arriti rezultat pozitiv në xhiron e parë të sezonit, duke barazuar pa gola kundër Llapit.
Këtë vikend ata do të pushojnë, pasi ndeshja me Dritën është shtyer për një datë të pacaktuar, përshkak të angazhimit të gjilanasëve në playoffin e Conference League.