60 për qind e të rinjve pritet ta lënë Kosovën pas liberalizimit

21 shtator 2018 | 11:36

Rreth 60 për qind e të rinjve pritet ta lënë Kosovën pas liberalizimit të vizave për të kërkuar një jetë më të mirë në vendet perëndimore.

Kështu është thënë në tryezën e organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë “Disponueshmëria e fuqisë punëtore në Kosovë”.

Kryetari i Bordit të Odës Ekonomike Amerikane, Ilir Ibrahimi, ka thënë se në bazë të statistikave papunësia në Kosovë është rreth 30 për qind, mirëpo sipas tij në anën tjetër ka mungesë të punëtorëve të kualifikuar në profile të ndryshme.

Ndërsa, Lah Nitaj, drejtor i Autoritetit Kombëtar të Kualifikimeve ka thënë se tash pas 10 viteve të Kosovës shtet, nuk mund të ankohen për mungesë të legjislacionit, por ka mungesë të profileve dhe cilësi të arsimit.

Synimet e këtij Autoriteti sipas tij janë që deri në fund të këtij viti të bëhen akreditimet e para për shkollat profesionale, për të prodhuar kuadro adekuate të ekonomisë kosovare.

Nitaj ka thënë se është domosdoshmëri që arsimi të trajtohet me prioritet nacional. Mirëpo sipas tij, arsimi profesional ka një kosto të lartë.

Në anën tjetër, Sharon Hart, presidente e RIT-it, ka thënë se duke parë që Kosova është para për liberalizimin e vizave, 60 për qind e të rinjve planifikojnë ta lënë Kosovën, andaj kjo do të jetë sfidë për bizneset.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një ditë pas përurimit të shtatoreve të heroit Fehmi Lladrovci…