600 MIJË PYETJE

28 qershor 11:01

Pandeli Majko

Lajmet se në Shqipëri do të hapen kampe për 600 mijë refugjatë sirianë janë përtej çdo gatishmërie e imagjinate për një prej kombeve më të vjetër të Evropës siç janë shqiptarët.
Mediet mund të japin lajme, por jo të nxisin panik në një popull që është një shembull në atë çfarë ofron për të huajt.

Nëse dikush nuk di të merret me diktatorin e Sirisë, pa dyshim se nuk kupton se ky individ dhe aleatët e tij, Rusia dhe Irani, po përdorin refugjatët sirianë si “bombë njerëzore”.
Qëllimi është për ta shkatërruar strukturën evropiane si ngrehinën kryesore ndërkombëtare e cila mbart vlerat që ata nuk i kanë.

Është një krim cinik dhe antinjerëzor që si teknologji ka filluar me luftën e Jugosllavisë. Arma synon panikun. Qëllimi është që ta ngjallë pasionin e ADN-së për “ruajtjen e territorit” i cili nuk është njerëzor. Krijimi i “antinjeriut” vjen si ftesë nga kjo aleancë e pashpallur lindore e cila po troket në Evropën me politikanë që masin çdo gjë me vota…
Shtëpia e shqiptarit është e zotit dhe e mikut. Kështu shkruhet në rregullat e lashta të trajtimit të të huajve që trokasin në derën e shtëpisë së shqiptarit.
Shqiptarët janë populli më miqësor me të huajt dhe që i mbron ata me vullnet e pa kërkesë nga të tjerët.
Askush dhe për asnjë arsye nuk mund ta fyejë kombin shqiptar duke luajtur me këtë ndjenjë kaq pozitive karshi të huajve.
Shqipëria është një rast i rrallë në një botë refuzuese për të huajt. Çdo familje shqiptare ka migrantë jashtë vendit, në Perëndim, dhe kjo është një arsye më shumë për të qenë dashamirës me ata që janë larguar nga vendi i tyre për arsye të mbijetesës.

Si njohës modest i krizave të tilla humanitare e vlerësoj të pavend përhapjen e lajmeve të tilla të cilat mund të shkaktojnë panik në vendin më miqësor me të huajt siç është Shqipëria. Ajo nuk është një “epruvetë” ku interesat politike dhe paaftësitë menaxhuese të të tjerëve të gjejnë justifikim me “eksperimente” të tilla.
Grumbullimet e refugjatëve në sasi sfiduese për vendasit do të krijojë situatë shpërthyese për të cilën duhet të bëhen mirë llogaritë.

Shqipëria ka gatishmëri për të huajt por askush nuk mund të bëjë “humor” nisur nga nevojat e saj. Në se ka ndonjë politikan evropian i cili diskuton “ftesën” për të hapur negociatat e integrimit evropian për Shqipërinë me pranimin e ndërtimit të kampeve të refugjatëve atëherë kjo “ftesë” më mirë të mos vijë… Pasi ajo nuk do të ishte ftesë, e aq më pak ftesë evropiane.
Jam i bindur, që Brukseli nuk mund t’i kërkojë një vendi dhe populli, ndryshimin e strukturës së vet sociale duke vënë në diskutim sigurinë e tij kombëtare dhe më gjerë.

Të huajt që të vijnë në derën e shtëpisë për ndihmë, janë miq! Ata që ti sjellin… janë miq të refuzuar të dikujt tjetër. Ky është përkthimi që shqiptarët do ti bëjnë një ftese për kampe refugjatësh në Shqipëri.
Shqipëria do të ishte e gatshme të ndajë peshën e çdo krize me familjen e vet evropiane por shqiptarët nuk janë njerëz naivë.

Ata dyshimin e tyre do ta fillonin me pyetje të thjeshta… “Pse diçka që nuk është e mirë për Evropën është e mirë për Shqipërinë?” Dhe më ironikja vjen më pas “Në se na kërkoni diçka që nuk e bëni vet, a na bën kjo më evropianë apo e kundërta?”… Janë 600 mijë pyetje për një të vërtetë. Natyrisht!

(Autori është ministër i Shtetit për Diasporën në Shqipëri)

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këngëtarja e famshme me prejardhje nga Kosova, Rita Ora, i…