65 liderë botërorë në forumin e elitës globale

14 janar 2026 | 08:47

Udhëheqës botërorë, përfshirë presidentin amerikan  Donald Trump, presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, kancelarin gjerman, Friedrich Merz dhe presidentin e përkohshëm sirian, Ahmad al‑Sharaa, do të mbajnë fjalime në takimin vjetor të World Economic Forum (WEF) që mbahet javën e ardhshme në Davos, Zvicër.

Organizatorët njoftuan sot se 65 kryetarë shtetesh dhe qeverish, përfshirë edhe gjashtë udhëheqës të shteteve të G7‑s, do të marrin pjesë në këtë konferencë

Ky takim po zhvillohet në një sfond gjeopolitik të trazuar, ku rikthimi i Trump në pushtet ka trazuar aleancat tradicionale, ndërsa luftërat, trazirat dhe ndryshimet teknologjike të shpejta, shtojnë pasigurinë globale.

Edicioni i këtij viti mbahet me temën ”A spirit of dialogue” dhe pritet që të diskutohet rreth çështjeve kryesore si lufta në Ukrainë, protestat në Iran, si dhe e ardhmja e Gazës dhe Venezuelës.

Presidenti Trump ka qenë i pranishëm në forum personalisht në vitet 2018 dhe 2020 gjatë presidencës së tij të parë, duke përdorur këtë platformë për të nxitur agjendën e tij ”America the first”.

Vitin e kaluar, vetëm disa ditë pasi u betua për mandat të dytë, ai mbajti një fjalim në forumin e Davosit përmes lidhjes me video, duke kritikuar rregullatorët evropianë për rregulla të ashpra ndaj firmave të teknologjisë, duke inkurajuar investimet në SHBA dhe duke paralajmëruar tarifa ndaj mallrave të huaj.

Forumi në Davos njihet edhe si një vend për diplomaci  jozyrtare.

Këtë vit, takime dytësore mund të përfshijnë diskutime për rrugë drejt përfundimit të luftës në Ukrainë, ndërkohë që zhvillimet gjeopolitike dhe ekonomike mbeten në qendër të vëmendjes.

Nga lista e pjesëmarrësve janë gjithashtu edhe kryeministrat e Kanadasë, Spanjës dhe Pakistanit, si dhe presidentët e Izraelit, Argjentinës dhe Republikës Demokratike të Kongos.

Udhëheqësi të kompanive kryesore të teknologjisë, përfshirë drejtuesit e Nvidia, Microsoft dhe Anthropic, pritet gjithashtu të jenë të pranishëm.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Parlamenti ukrainas votoi të martën për të shkarkuar zyrtarët e…