65-vjetori i Fakultetin Filozofik, Andin Hoti: Nga këtu, fjala, mendimi dhe idealet e lirisë morën trajtë akademike
Me rastin e 65-vjetorit të Fakultetit Filozofik, Andin Hoti, ka mbajtur një fjalim, ku ka theksuar se për të është një ndjenjë e veçantë mirënjohjeje e krenarie të jetë pjesë e këtij përvjei, në vendin ku fjala, mendimi dhe idealet e lirisë morën trajtë akademike, në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës.
Ai ka theksuar se ky fakultet, në gjashtë dekada e gjysmë, ka qenë tempulli i mendimit të lirë, i debatit intelektual dhe i formimit të ndërgjegjes kombëtare.
“Natyrisht, emocionin e përforcon edhe me shume, kujtesa dhe vendi ku ne aktualisht jemi. Në këtë hapësirë ku dikur ligjëronte babai im, Ukshin Hoti. Në këtë Fakultet, ai nuk dha vetëm dije, ai ndezi vetëdije. Në këto mure ai ligjëroi, sfidoi, frymëzoi. Nuk fliste vetëm për politikë apo teori, por për dinjitetin e njeriut, për lirinë si parim moral dhe për përgjegjësinë e mendimit të lirë ndaj kombit dhe shoqërisë. I ftoi studentët e tij të mos e pranojnë realitetin si fat të dhënë, por si diçka që duhet menduar, ndryshuar dhe përmirësuar”, ka thënë Andin Hoti.
Fjalimi i Andin Hotit:
Të nderuar përfaqësues të Universitetit të Prishtinës,
z. Rektor Hajrullahu,
z. Rektor i Universitetit të Tetovës, Jusuf Zejneli,
z. Dekan Bekim Baliqi,
z. Prodekan Arsim Sinani,
Të nderuar akademikë, profesorë, studentë, organizata studentore, kolegë e miq,
Është një ndjenjë e veçantë mirënjohjeje dhe krenarie të jem sot këtu — në vendin ku fjala, mendimi dhe idealet e lirisë morën trajtë akademike, në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës.
Ky fakultet, në gjashtë dekada e gjysmë, ka qenë tempulli i mendimit të lirë, i debatit intelektual dhe i formimit të ndërgjegjes kombëtare.
Natyrisht, emocionin e përforcon edhe më shumë kujtesa dhe vendi ku ndodhemi sot — në këtë hapësirë ku dikur ligjëronte babai im, Ukshin Hoti.
Në këtë fakultet ai nuk dha vetëm dije — ai ndezi vetëdije.
Në këto mure ai ligjëroi, sfidoi dhe frymëzoi.
Ai nuk fliste vetëm për politikë apo teori, por për dinjitetin e njeriut, për lirinë si parim moral dhe për përgjegjësinë e mendimit të lirë ndaj kombit dhe shoqërisë.
I ftoi studentët e tij të mos e pranojnë realitetin si fat të dhënë, por si diçka që duhet menduar, ndryshuar dhe përmirësuar.
Ai e shihte arsimin si akt çlirimi, mendimin si formë rezistence dhe dijen si detyrim moral ndaj popullit të vet.
Por Ukshin Hoti e dinte se fjala e lirë ka çmim — dhe ai e pagoi atë çmim me jetën e tij.
Sot, ndërsa ky fakultet shënon 65 vjet nga themelimi, nderimi që i bëhet Ukshin Hotit është më shumë se një mirënjohje — është një rikthim i drejtësisë historike ndaj një figure që la gjurmë të pashlyeshme në akademi, në mendimin politik dhe në ndërgjegjen tonë kombëtare.
Në emër të familjes sime dhe në emrin tim personal, ju falënderoj nga zemra për këtë nderim.
Falënderoj rektorin e Universitetit, dekanin e këtij fakulteti, prodekanin, çdo profesor e student që ruan kujtimin e tij nëpër fjalë, libra e frymëzim.
Ky kujtim është amanet — jo vetëm për të kaluarën, por edhe për të ardhmen tonë, si shoqëri që ende beson se e vërteta dhe dija janë forca më e madhe e lirisë.
Faleminderit për nderimin, për kujtimin dhe për respektin ndaj një njeriu që jetoi me mendje të lirë dhe zemër të madhe për këtë vend.



