67-shi i PDK-së, Hisen Berisha: Zgjedhjet e 28 dhjetorit janë vijë fronti, bashkohuni me ne
Gjenerali Hisen Berisha, kandidat për deputet me numër 67 në listën e PDK-së ka shkruar në “Facebook” për Konventën e kësaj partie, ku u prezantua kandidati për kryeministër, Bedri Hamza dhe kandidatët për deputetë.
Ai ka thënë se dita e 28 dhjetorit 2025 nuk është thjesht datë zgjedhjesh, është një kushtrim kombëtar.
Berisha ka thënë se është thirrja për ta mbrojtur Republikën, lirinë, pavarësinë dhe sakrificën e gjakut që e solli Kosovën në jetë.
“Sot, në Konventën e Partisë Demokratike të Kosovës, u prezantuan kandidatët për deputet dhe kandidati për kryeministër, kryetari i Partisë z. Bedri Hamza. Në këtë tubim solemn, z. Hamza paraqiti në vija strategjike programin qeverisës të PDK-së, një vizion të qartë për rimëkëmbjen e shtetit, rikthimin e stabilitetit institucional dhe ringritjen e Republikës së Kosovës. Konventa e sotme shënon fillimin e një rruge të re politike, të udhëhequr nga përgjegjësia, përvoja dhe vendosmëria për ta nxjerrë Kosovën nga kriza e kapjes dhe degjenerimi qeverisës i viteve të fundit”.
“PDK i ka thirrur sërish të gjithë ata që dikur veshën uniformën, morën armët dhe shkuan në front për çlirim: të përgatitemi, si atëherë, për ta ndalur fundosjen e Kosovës në kleptokracinë autoritare të kleptomanëve neokomunistë e sorosianë. Para qytetarëve, lista e Partisë Demokratike vjen me luftëtarë të UÇK-së, me djem e vajza dëshmorësh dhe me kuadër të ri të shkolluar në Kosovën e lirë. Ne kërkojmë bashkim për t’i larguar kleptomanët, uzurpatorët dhe shërbëtorët e trashëgimisë së institucioneve të okupatorit serb”, ka shkruar Berisha.
67-shi i PDK-së ka thënë se më 28 dhjetor 2025 mbyllet kapitulli i urrejtjes ndërshqiptare dhe sulmit sistematik kundër luftëtarëve të UÇK-së.
“Mbaron epoka e shkurtër, por me pasoja të rënda, e uzurpatorëve. Republikën e Kosovës e shpëtuam dhe e rikthyem një herë. Do ta bëjmë sërish. Prandaj, shqiptarë, ejani, bashkohuni. Kosova nuk ka luksin të bëhet Venezuela, e as laborator i sektit neokomunist. Zgjedhjet e 28 dhjetorit janë vijë fronti. Në njërën anë është kapja. Në anën tjetër është Republika”, ka shkruar Hisen Berisha.



