67-shi i PDK-së: Mbështetja e gjeneralit Sami Lushtaku, garanci për fitore
Kandidati për deputet i PDK-së me numër 67, gjenerali Hisen Berisha, në kuadër fushatës zgjedhore është takuar me kryetarin e Skenderajt, Sami Lushtaku, nga i cili ka marrë mbështetje për garën për deputet.
Berisha ka shkruar në ‘Facebook’ se Lushtakut ia ka uruar detyrën e kryetarit të Skenderajt.
“Fotot me generalin Sami Lushtaku nuk janë vetëm kujtim, por mesazh. Mbështetja e tij është garanci fitoreje. Njeriu që e ka transformuar Skenderajn dhe Drenicën, simbol i qëndresës, i guximit dhe i vizionit, mbetet busull e sigurt për rrugën e fitores”, ka shkruar Berisha.

Postimi i plotë i Berishës:
Duke respektuar rregullat administrative zgjedhore, i pari i Drenicës, me ekipin e tij të bashkëpunëtorëve, më priti në një ambient festiv dhe thellësisht mikëpritës, ashtu siç di vetëm Drenica. Ishte një pritje që flet për respekt institucional, por edhe për lidhjen e fortë mes njerëzve që ndajnë të njëjtin ideal.
Ia urova detyrën Kryetarit dhe, njëkohësisht, mora urimin për garën time për deputet të Kuvendit të Kosovës nga Partia Demokratike e Kosovës dhe nga Drenica heroike. Një garë që nuk është personale, por përfaqësuese, sepse fitoren dhe zërin e Skenderajt e të gjithë Drenicës i afirmojnë 512 luftëtarë të kësaj treve, pjesëmarrës në Betejën e lavdishme të UÇK-së në Koshare.
Ashtu si në mandatin e parë, ia hoqa maskën politikës së urrejtjes ndaj Drenicës së panënshtruar, të pamanipuluar dhe krenare.
Sot, sërish, u zotova para drenicasve se do të jem zëri i tyre për çuarjen përpara të projekteve të mbetura përgjysmë, të braktisura që nga tetori i vitit 2019.
Me Partinë Demokratike në qeverisje, Drenica do t’i ketë të gjitha ndërtimet dhe investimet që ia rregullojnë jetën qytetarëve dhe rehabilitojnë plagët e dhimbjet e sakrificës për liri.
Fotot me Gjeneralin Sami Lushtaku nuk janë vetëm kujtim, por mesazh. Mbështetja e tij është garanci fitoreje. Njeriu që e ka transformuar Skenderajn dhe Drenicën, simbol i qëndresës, i guximit dhe i vizionit, mbetet busull e sigurt për rrugën e fitores.



