71 banesa për 71 familje, Banimi i Përballueshëm dhe Social po jetësohet edhe në Gjilan

06 maj 2025 | 15:40

Kryeministri në detyrë Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendësministri në detyrë i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Jeton Raka, deputetë të Kuvendit dhe bashkë me kryetarin e Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, vendosën gurthemelin e kompleksit të Banimit të Përballueshëm dhe Social në këtë komunë.

Ky kompleks do të përbëjë gjithsej 71 njësi banesore, me ç’rast 57 banesa do të jenë për banim të përballueshëm dhe 14 banesa do të jenë për banim social.

Sipërfaqja e gjithmbarshme ndërtimore e këtij kompleksi është afër 12.350 metra katrorë, kohëzgjatja e kontratës do të jetë tri vjet, dhe do të ketë katër tipe të banesave: 53 metra katrorë, 66 metra katrorë, 77 metra katrorë dhe 87 metra katrorë. “Qysh në fillim të mandatit tonë qeverisës, patëm filluar me përgatitjet për banimin e përballueshëm dhe social, duke e vendosur në agjendë qeveritare dhe më pastaj duke bërë studimin e fizibilitetit për komunat e ndryshme të cilat kanë aplikuar dhe këtu në Gjilan po e kurorëzojmë sot me këtë gurthemel fillimin e punimeve të cilët, po ritheksoj, do të zgjasin gjithsej tre vjet”, u shpreh kryeministri Kurti.

Ai shtoi se përfitues do të jenë çiftet e reja, me ç’rast ato do të përfitojnë, nëse nuk e kanë të zgjidhur problemin e banimit, dhe gjithashtu, duhet që së paku njëri në çift, të jetë nën 37 vjeç. Këto banesa do të jenë edhe për familjet ku ka një prind vetushqyes.

Kryeministri falënderoi kryetarin e Komunës së Gjilanit, përfaqësuesit politikë në këtë komunë, si dhe Ministrinë e Mjedisit, të Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, që kanë punuar në vazhdimësi që të arrijnë këtë rezultat, meqenëse banimi është domosdoshmëri, një gjë jetike ekzistenciale. Kësisoj, ky kompleks do të bëjë gjithsej 71 familje të lumtura në 71 banesa në Komunën e Gjilanit, qoftë të banimit të përballueshëm apo social.

Zëvendësministri i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Jeton Raka, tha se me miratimin e Agjendës Qeveritare për Banim të Përballueshëm dhe Social në vitin 2021 nga Qeveria e Republikës së Kosovës, kemi synuar që për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës të sigurohet banim i denjë, i përballueshëm dhe i qëndrueshëm.

Ndërkaq kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, e vlerësoi projektin për implementimin e projektit për banim social dhe të përballueshëm në Gjilan si projekt jetik për qytetarët.

Ky projekt është një bashkëinvestim i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe komunave përfituese, ku komunat kontribuojnë me lokacionin dhe infrastrukturën e nevojshme. Deri tani janë nënshkruar katër kontrata me operatorët ekonomikë në shtatë llote në Komunat e Istogut, Gjilanit, Pejës dhe Podujevës, me vlerë totale prej 32,257,752.81 euro.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas një komenti të presidentit të ShBA-së Donald Trump, i…