75 905 vota për Shqipe Selimin: Mandat i fortë besimi nga qytetarët e Kosovës
Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje!, Shqipe Selimi, ka falënderuar qytetarët e Republikës së Kosovës për mbështetjen e dhënë në zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 28 dhjetor, ku ajo ka siguruar 75 mijë e 905 vota, duke u zgjedhur deputete në Kuvendin e Kosovës.
Përmes një mesazhi falënderues, Selimi ka vlerësuar besimin e qytetarëve në programin qeverisës të Lëvizjes Vetëvendosje!, e cila në këto zgjedhje ka marrë gjithsej 486 mijë e 994 vota, apo 51.11 për qind të votave.
“Një falënderim i veçantë shkon për 75 mijë e 905 qytetarë të Kosovës dhe mërgimtarë në mbarë botën, të cilët më besuan votën e tyre. Ky besim është një përgjegjësi e madhe, të cilën do ta kthej me angazhim, përkushtim dhe punë të palodhshme në shërbim të interesit publik”, ka shkruar Selimi.
Deputetja e zgjedhur ka falënderuar gjithashtu Lëvizjen Vetëvendosje!, qendrat e saj brenda dhe jashtë vendit, aktivistët dhe votuesit, për mbështetjen dhe besimin për të vazhduar angazhimin e saj në Kuvendin e Kosovës, tashmë në mandatin e tretë.
Ajo ka përgëzuar qytetarët për nivelin e lartë demokratik dhe për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, duke uruar njëkohësisht të gjithë deputetët e zgjedhur për punë të mbarë. Në fund, Selimi ka uruar suksese Qeverisë Kurti 3 dhe Legjislaturës së 10-të të Kuvendit të Republikës së Kosovës, duke theksuar mesazhin: “Bashkë vazhdojmë, për siguri dhe begati!”



