75 milionë për publikun, zero për privatët, paga 13 ngjall reagime të shumta në Kosovë
Qeveria e Kosovës ka vendosur ndarjen e pagës së 13-të për punëtorët e sektorit publik, një masë që prek rreth 85 mijë të punësuar dhe kap vlerën e afërsisht 75 milionë eurove. Ky vendim po konsiderohet diskriminues nga përfaqësues të sektorit privat.
Vendimi i Qeverisë së Kosovës për ndarjen e pagës së 13-të për punëtorët e sektorit publik ka nxitur reagime të shumta nga përfaqësues të sektorit privat, sindikata dhe ekspertë ekonomikë, të cilët e konsiderojnë këtë masë të njëanshme dhe përjashtuese për pjesën tjetër të ekonomisë.
Qeveria ka vendosur që rreth 85 mijë të punësuar në sektorin publik të përfitojnë nga paga e 13-të, një vendim që i kushton buxhetit të shtetit afro 75 milionë euro. Kjo ndërhyrje, përveç kostos së lartë financiare, po shihet si diskriminuese ndaj punëtorëve të sektorit privat, të cilët thonë se po lihen jashtë mbështetjes në një kohë të vështirë ekonomike.
Reagime të forta kanë ardhur edhe nga përfaqësuesit e punëtorëve të sektorit privat. Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, ka ngritur shqetësimin për trajtimin e pabarabartë.
“Ne jemi ata punëtorë të cilët prodhojmë, përderisa punëtorët e sektorit publik janë ata të cilët shpenzojnë. Dhe mos të kemi ironi: ne i gëzohemi pagës së 13-të për këta punëtorë, por jashtëzakonisht kemi presione të mëdha nga punëtorët e sektorit privat: ‘pse ata marrin dhe ne jo?’, domethënë çka na dallon neve prej punëtorëve të sektorit publik?”.
Pakënaqësi ka shprehur edhe Sindikata e Re e KEK-ut, e cila ka reaguar për përjashtimin e punëtorëve të kësaj korporate dhe disa ndërmarrjeve të tjera nga ky vendim.
“Edhe ne jemi Kosovë! Ne jemi ata që çdo ditë punojmë pa u ndalur, në kushte të rënda, mes rrezikut dhe sakrificës, për të mbajtur dritën ndezur në çdo shtëpi të këtij vendi. Ne nuk jemi thjesht punëtorë – ne jemi shtylla që e mban Kosovën funksionale. Ne kemi familje. Kemi fëmijë në shkolla. Kemi prindër të sëmurë. Kemi halle dhe sfida si çdo qytetar tjetër. Por, pavarësisht gjithçkaje, ne nuk ndalemi kurrë. Punëtorët e KEK-ut janë ndër kontribuuesit më të mëdhenj në buxhetin e shtetit, duke gjeneruar miliona euro çdo vit.”, thuhet në reagimin e tyre.
Nga ana tjetër, Aleanca Kosovare e Bizneseve e ka cilësuar këtë vendim si të padrejtë dhe përçarës për shoqërinë. Sipas këtij organizimi, përfitimi selektiv cenon parimet e barazisë dhe konkurrencës së ndershme.
AKB ka theksuar se sektori privat është bartësi kryesor i zhvillimit ekonomik dhe kontribuuesi më i madh në buxhetin e shtetit, ndërsa po injorohet nga politikat mbështetëse. Sipas tyre, paga e 13-të për sektorin publik nuk përfaqëson meritë, por një shpërblim selektiv dhe politik.
Aleanca ka kërkuar nga Qeveria që të ndryshojë qasje, duke përfshirë në mbështetje edhe sektorin privat dhe kategoritë sociale, në të kundërtën duke paralajmëruar pasoja në klimën e biznesit dhe besimin ndaj institucioneve.
Edhe eksperti ekonomik Safet Gërxhaliu e ka cilësuar situatën si të rënduar në disa dimensione, duke theksuar se vendi po përballet me sfida ekonomike, sociale dhe politike njëkohësisht.
“Qytetarët e Kosovës në tërësi kanë nevojë për mbështetje, sidomos në kohë krize dhe inflacioni. Nuk duhet të ketë ndarje të pjesshme apo segmentim të mbështetjes. Pagesa e 13-të vetëm për administratën dhe anashkalimi i sektorit privat nuk përfaqëson drejtësi sociale”.
Ai ka shtuar se sektori publik financohet drejtpërdrejt nga kontributet e sektorit privat, dhe përjashtimi i këtij të fundit nga mbështetja krijon pabarazi të theksuar.
Reagim ka pasur edhe nga kryetari i Dhomës së Tregtisë, Skender Krasniqi, i cili ka rikujtuar rolin kyç të sektorit privat në sigurimin e të hyrave buxhetore.
“Sektori privat është shtylla kryesore e sigurimit të buxhetit të shtetit dhe shumica e të hyrave vijnë nga ky sektor. Ne e përshëndesim vendimin e Qeverisë për ndarjen e pagës së 13-të për sektorin publik, por mendojmë se Qeveria do të duhej t’i përkrahë edhe bizneset, në mënyrë që edhe ato të kenë mundësi të njëjta”.
Kurse Blendi Hasaj, drejtor i Institutit GAP, ka theksuar se një qasje më e drejtë do të ishte përfshirja e të gjithë punonjësve me paga më të ulëta, pa dallim sektori. Sipas tij, të dhënat tregojnë një hendek të dukshëm mes sektorëve.
“Në vijimësi ka pasur kritika që administrata publike tek ne është e mbingarkuar me numër të punonjësve, problem i cili nuk është trajtuar fare as nga Qeveria Kurti. Andaj, edhe problemi me inflacion muajve të fundit, del se i ndikon shumë më shumë punonjësit e sektorit privat. Një ndërhyrje shumë më adekuate sesa kjo, meqë qeveria veçse ka vendosur të zbatoj një masë të tillë, do të ishte që të ndihmoheshin të gjithë punonjësit në ekonomi me paga më të ulëta. Përfshi punonjës të sektorit privat dhe atij publik”.
Ndërkohë, përfaqësues të sektorit privat kanë paralajmëruar edhe veprime konkrete, përfshirë mbajtjen e një konference të enjten para objektit të Qeverisë së Kosovës.
Kritika ndaj këtij vendimi ka shprehur edhe deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, i cili e ka cilësuar si diskriminues përjashtimin e disa kategorive nga përfitimi.
“Një padrejtësi tjetër qëndron në faktin se ata që kanë punuar vitin e kaluar në sektorin publik, por nuk vazhdojnë të punojnë më, janë të përjashtuar nga kjo pagë, ndonëse ajo jepet për punën e bërë gjatë vitit të kaluar. A mendoni se kjo është një politikë diskriminuese ndaj sektorit privat dhe atyre që nuk punojnë më?”.
Nga ana e Qeverisë, ministri i Financave, Hekuran Murati, ka sqaruar mënyrën e zbatimit të kësaj mase, duke theksuar se pagesa do të jetë proporcionale për ata që nuk kanë punuar gjatë gjithë vitit.
“Kemi hasur raste ku ka situata që nuk i kanë përmbushur të gjithë 12 muajt, jemi dakorduar me Thesarin që për këta persona që nuk i kanë përmbushur 12 muaj të plotë të jepet pjesa e pjesshme. Për aq muaj sa kanë qenë të angazhuar në këta 12 muajt e fundit, të jepet proporcionalisht një pjesë e pagës së trembëdhjetë. Ngjashëm veprohet edhe me ata që punojnë me orar të shkurtuar dhe jo të plotë”.
Ndërkohë, kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se Qeveria është në përgatitje të një pakete kundër inflacionit, e cila pritet të përfshijë edhe masa mbështetëse për sektorin privat.
Paga e 13-të për sektorin publik ishte premtuar gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025 dhe tashmë është përfshirë në buxhetin e vitit 2026. /Monitor



