
756 profesionistë shëndetësorë u infektuan e Covid-19 në Kosovë
Që nga regjistrimi i rasteve të para të Covid-19 në Kosovë (13 mars 2020) e deri më sot, 756 profesionistë shëndetësorë janë prekur nga ky infeksion (brenda dhe jashtë institucioneve shëndetësore).
Lajmin e ka bërë me dije përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook” drejtori i Departamentit për Informim në Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti.
“Këtë javë kemi humbur tre profesionistë të nderuar të mjekësisë kosovare: profesorin Sylejman Rexhepi, kirurgun Ali Tolaj dhe mjekun familjar Fadil Zuka. Personeli shëndetësor nuk kanë nevojë që të tjerët t’u tregojnë atyre si ta bëjnë punën, ata kanë nevojë që secili të bëj kujdes maksimal, të zbatojë masat e thjeshta si bartja e maskës mbrojtëse, ruajtja e distancës (sociale e fizike) dhe higjienës. Kështu atyre u lehtësohet puna”, ka shkruar Hoti.
Ai ka theksuar se humbja e çdo mjeku/infermieri apo profesionisti tjetër shëndetësor na bën të gjithëve më më të ekspozuar dhe më të pambrojtur para këtij virusi që nuk njeh moshë, gjini, profesion, pozitë apo opozitë dhe që infekton e vret pa mëshirë.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka njoftuar se në 24 orwt e fundit janë regjistruar edhe pesë viktima dhe 237 raste të reja me Covid-19.
Numri i rasteve aktive me Covid-19 në Kosovë është 2.995, derisa komuna e Prishtinës shënon numrin më të madh të të infektuarve.
Ndërkohë, numri i rasteve në Kosovë ka shkuar në 6 917, ndërsa i viktimave në 169 që nga paraqitja e rasteve të para me koronavirus, ndërkaq numri i të shëruarve ka arritur në 3 753.
(M.Q / Epoka e re)