
Haradinaj pas takimit me bizneset: Qeveria e ka sjellë ekonominë buzë kolapsit
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, është takuar të hënën me përfaqësuesit e bizneseve të Kosovës.
Pas takimit, Haradinaj ka thënë se qeveria Kurti e ka sjellë ekonominë e Kosovës buzë kolapsit.
“Ishte dakordim i përbashkët që klima për zhvillimin ekonomik dhe të bërit është përkeqësuar skajshmërisht gjatë kësaj qeverie. Jostabiliteti politik, mungesa e një oferte konkrete për investime të huaja, procedurat e shumta burokratike, bllokimi i investimeve kapitale dhe qasja ndëshkuese dhe armiqësore e qeverisë ndaj sektorit privat, ka sjellë ekonominë buzë kolapsit”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.
Postimi i plotë i Haradinajt:
Sot, bashkëbiseduam me përfaqësues të sektorit nga ekonomia, sektorit privat dhe bizneset si punëdhënësit më të mëdhenj në vend, në kuadër të ciklit të diskutimeve me përfaqësues nga sektorë të ndryshëm. Në tryezë shpreha vlerësimin e lartë për sektorin privat, si shtyllë e zhvillimit të vendit dhe adresimit të problemit kryesor, punësimit.
Ishte dakordim i përbashkët që klima për zhvillimin ekonomik dhe të bërit është përkeqësuar skajshmërisht gjatë kësaj qeverie.
Jostabiliteti politik, mungesa e një oferte konkrete për investime të huaja, procedurat e shumta burokratike, bllokimi i investimeve kapitale dhe qasja ndëshkuese dhe armiqësore e qeverisë ndaj sektorit privat, ka sjellë ekonominë buzë kolapsit.
Aleanca qëndron fuqishëm krah sipërmarrësve. Ne, besojmë se sektori privat si kontribuuesit më të mëdhenj në arkën e shtetit dhe rritjen e punësimit, meriton trajtim të veçantë.
Ne besojmë që është urgjencë kombëtare që kjo qeveri degraduese sa më parë të largohet, në mënyrë që Kosova t’i kthehet prosperitetit dhe zhvillimit ekonomik.