79-shi i PDK-së, Musli Gucati
Musli Gucati, djali i kryetarit të OVL-UÇK-së, Hysni Gucati është kandidat për deputet. Gucati garon në listën zgjedhore të PDK-së dhe mban numrin 79, në zgjedhjet që do të mbahen me 28 dhjetor.
Ky eshte njoftimi i plotë i Musli Gucati:
Të nderuar qytetare dhe qytetarë të Kosovës,
Sot dua t’ju njoftoj me vendosmërinë time të plotë, kam marrë vendimin të jem pjesë e listës së Partisë Demokratike të Kosovës për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit dhe do të garoj me numrin 79. Ky nuk është vetëm një nder i madh për mua, është një përgjegjësi që e marr me gjithë energjinë, dijen dhe përkushtimin tim.
Pas shumë bisedave dhe takimeve me qytetarë, familjarë, kolegë dhe miq, kam vendosur të hyj në këtë garë për një qëllim të qartë të jap kontribut real për një Kosovë më të drejtë, më të zhvilluar dhe më dinjitoze. Si historian, si punëtor në arsim dhe në përfundim të studimeve të antropologjisë, unë e kam të qartë se ku duhet të fokusohemi. Prandaj angazhimi im do të jetë i pakompromis në fusha kyçe.
Zhvillimi i Kosovës fillon dhe mbaron me cilësinë e arsimit. Do të punoj që fëmijët dhe të rinjtë tanë të kenë një arsim modern, profesional dhe të barabartë për të gjithë. Mësimdhënësit duhet t’i kenë kushtet që meritojnë, e kuadrot e reja të përgatiten për të qenë shtylla e së ardhmes. Arsimi nuk është vetëm prioritet por është themeli i zhvillimit tonë kombëtar.
Rinia është fuqia që mund ta ndryshojë Kosovën. Të rinjtë tanë meritojnë mundësi, hapësirë dhe mbështetje reale. Unë do të angazhohem për kushte më të mira për zhvillim profesional, nxitje të ndërmarrësisë, programe që i motivojnë të ndërtojnë të ardhmen këtu, jo diku tjetër. Të rinjtë nuk janë vetëm e ardhmja, janë forca më e gjallë e vendit tonë.
Vlerat e UÇK-së, UÇK-ja është themeli i lirisë sonë, simbol i sakrificës dhe dinjitetit të popullit tonë. Angazhimi im në mbrojtjen e vlerave të luftës çlirimtare do të jetë i palëkundur. Respekti për dëshmorët, veteranët dhe të gjithë kontribuesit e lirisë nuk është çështje politike, është detyrim moral dhe kombëtar.
Kosova ka kaluar pesë vite të vështira, me mungesë vizioni dhe energjie institucionale. Është koha t’i kthejmë vendit dinamizmin, qartësinë dhe përkushtimin që meriton. Koha për punë të sinqertë dhe rezultate të prekshme.
Ju falënderoj nga zemra për mbështetjen dhe besimin. Me transparencë, integritet dhe përkushtim të plotë, do të jem në shërbimin tuaj dhe të Republikës sonë.
Me respekt,
Musli Gucati
#PDK130
#BedriHamza1 #kryeminister
#Musli79



