
8-shja e Nismës, Hamide Bytyqi: Zëri i rinisë që synon Asamblenë e Drenasit
Kandidatja e Nisma Socialdemokrate për Asamblenë Komunale të Drenasit, Hamide Bytyqi, me numër 8 në listë, vjen si përfaqësuese e brezit të ri në politikën lokale.
Vetëm 20-vjeçare, e lindur në fshatin Orllat, Bytyqi ka kaluar aty fëmijërinë dhe vitet e para të shkollimit. Shkollën e mesme e përfundoi në drejtimin e Shkencave Natyrore në Drenas, ndërsa aktualisht është studente e Shkencave Kompjuterike – Programim.
Me energjinë e saj rinore dhe vizionin modern, ajo synon të sjellë një frymë të re në vendimmarrjen komunale. Fuqizimi i të rinjve, avancimi i arsimit, hapja e mundësive të reja dhe zhvillimi i komunës janë ndër prioritetet kryesore që Hamide Bytyqi ka shpalosur para qytetarëve.
“Angazhimi im është të jem zëri i brezit të ri, i grave dhe i gjithë qytetarëve që duan një Drenas më të zhvilluar dhe më të drejtë. Unë jam gati të punoj me përkushtim dhe përgjegjësi për komunën time,” ka theksuar ajo.
Bytyqi shihet si një zë i fuqishëm i rinisë dhe grave në politikën lokale, duke sjellë një dimension të ri përfaqësimi në Asamblenë e Drenasit.
Në zgjedhjet e ardhshme, ajo do të kërkojë besimin e qytetarëve me numrin 8 në listën e Nisma Socialdemokrate.