
8-vjeçarja u aksidentua për vdekje në Klinë, flet babai i saj: Shihet në video që ma ka mbytë çikën, nuk e pranoi fajësinë
8-vjeçarja, Arsa Balaj, u godit nga një veturë më 6 shtator të vitit 2023, në fshatin Rixhevë të Klinës. Si pasojë e lëndimeve të marra, ajo vdiq 20 ditë më pas. E dyshuara për këtë rast po gjykohet në liri, e kjo po ua shton dhimbjen edhe më shumë familjarëve.
Gazetarja e Reporteri.net, Leonora Kolukaj, ka shkuar në Gjykatën Themelore të Pejës – Dega Klinë, për ta përcjellur këtë seancë, mirëpo gjyqtarja e rastit e ka porositur sigurimin që të mos e lejojë ekipin të futet brenda, me arsyetimin se rasti është shumë i ndjeshëm .
Alban Balaj, prindi i 8-vjeçares, ka folur për Reporteri.net pas përfundimit të seancës ku u shpreh i dëshpëruar me rrjedhën e rastit. Ai tregoi se e dyshuara nuk e ka pranuar fajësinë.
Sipas tij, në video shihet qartë çfarë ka ndodhur.
“Sikurse në seancat tjera parregullësi. Ajo se pranoi fajësinë, avokati i saj na merrke në pyetje vec sa për me shty, kërkoi largim të gjyqtares. Jam shumë i dëshpërum me këtë rast. Kjo veç po na i hap plagët ma shumë, Kur në video shihet që ma ka myt vajzën edhe shihet me çfarë shpejtësie marrëmendëse, ata as që e marrin këtë farë pune parasysh edhe nuk iu doket kurgjë. Kjo është një shqetësim i madh”, ka deklaruar Balaj.
Ai ka thënë se gjykimi në liri i të dyshuarës vetëm sa po ua shton dhimbjen, teksa ka pasur ankesa edhe tek avokati i saj.
“Shumë e dhimbshme. Avokati zgërdhihet tu të marr në pyetje, i keshet thuajse s’ka ndodhë kurgjë…Qysh është e pafajshme kur e ka mbytë një fëmi. Kjo është duke u gjyku në liri, pa kanë asnjë ditë në burg. Kjo është tu na shty me shku tek ma e keqja. Këta nashta edhe po kanë qejf me shku te ma e keqja. Me myt një fëmi e mos me ba as një orë e asnjë ditë në burg, kështu s’ka në asnjë shtet”, ka deklaruar tutje ai.
Ndërkohë, e dyshuara dhe avokati i saj s’kanë pranuar të deklarohen.