
87 persona kërkuan trajtim jashtë vendit për një muaj, Pediatria dhe Mjekësia Nukleare, më së shumti kërkesa
Kosova mund të ofrojë shumëçka për qytetarët e saj, por jo çdoherë edhe trajtimin më të mirë shëndetësor.
Mungesa e sigurimeve shëndetësore, mungesa e barërave esenciale nëpër klinika dhe kushtet jo-adekuate në spitalet e vendit e bëjnë edhe më të vështirë trajtimin shëndetësor të gjithë qytetarëve që u duhet të përballen me probleme shëndetësore.
Si shkak që shpesh herë mbeten pa zgjidhje, e nuk gjejnë shërbimin adekuat për probleme të caktuara shëndetësore- të njëjtit detyrohen që zgjidhje të kërkojnë jashtë vendit, disa në vendet e afërta të rajonit, dikush në Evropë e të tjerë edhe më larg.
Fondi i Sigurimit Shëndetësore (FSSh), në kuadër të zbatimit të programit për trajtim mjekësor jashtë institucioneve shëndetësore publike, vetëm gjatë muajit maj ka shqyrtuar dhe trajtuar një numër të konsiderueshëm të aplikimeve dhe ankesave.
Gjatë kësaj periudhe, Fondi i Sigurimit Shëndetësor ka pranuar 87 aplikime, nga të cilat 37 ishin të gjinisë femërore dhe 50 të gjinisë mashkullore.
Për të parë se në cilat klinika ka pasur më tepër kërkesa, nga FSSH, kanë thënë se vetëm gjatë muajit maj në klinikën e Pediatrisë aty ku trajtohen fëmijët janë bërë 25 aplikime.
11 aplikime për shërim jashtë vendit u bën nga Mjekësia Nukleare, derisa nga klinikat tjera ka pasur më pak kërkesa të cilat nuk kanë tejkaluar shifrën shtatë.
“Gjinekologji 1, Hematologji 2, Kardiokirurgji 1, Kardiologji 2, Kirurgji Abdominale 2, Kirurgji maksillofaciale 1, Klinika e Mjekësisë Fizikale dhe Rehabilitimit 7, Mjekësia Nukleare 11, Nefrologji 5, Neurologji 6, Oftalmologji 4, Ortopedi 7, Otorinolaringologji 2, Pediatri 25, Pulmologji 3, Radiologji 2, Urologji 6”, thuhet në përgjigjen e FSSH-së.
Por se në cilat vende janë bërë më tepër kërkesa për tu trajtuar gjatë muajit maj?
Shteti i cili prin aktualisht duke mos përfshirë Kosovën me 34 aplikime është Turqia.
27 aplikime u bën brenda një muaji duke kërkuar trajtim e shërim në Turqi. Kësisoj Turqia radhitet si nga vendet me më së shumti kërkesa nga qytetarët duke filluar nga konsultat, trajtimet e deri tek operimet që bëhen atje.
Pas saj radhitet Maqedonia, Gjermania e të tjera, derisa shtetet të cilat nuk kanë ndonjë kërkesë apo aplikim të lartë janë, Italia, Austria dhe Zvicra.
Nga FSSH-ja, kanë thënë se pacientët të cilët kërkojnë subvencionimin për TMJISHP i përzgjedhin vet institucionet në momentin e aplikimit se ku do të trajtohen.
Teksa një lehtësim për qytetarët vie pasi ky fond zbaton pagesat për trajtim në institucionet e përzgjedhura nga vet pacientët pas vendim-marrjes nga Bordi për TMJIShP.
“Fondi zbaton pagesat për trajtim ne institucionet e përzgjedhura nga vet pacientet pas vendim-marrjes nga Bordi për TMJIShP”, thuhet në përgjigjen e FSSH-së.
Po ashtu sëmundjet më të shpeshta për te cilat trajtohen pacientët janë ato te cilat nuk trajtohen në institucionet shëndetësore publike.
Sëmundjet të cilat trajtohen apo pjesa më e madhe e tyre ju takojnë, sëmundjeve malinje të të gjitha formave dhe organeve, sëmundjet e gjakut dhe enëve te gjakut, sëmundjet ortopedike, rastet kardiokirurgjisë.
“Sëmundjet më të shpeshta për të cilat trajtohen pacientët janë ato të cilat nuk trajtohen në institucionet shëndetësore publike dhe pjesa më e madhe i takon: sëmundjet malinje të të gjitha formave dhe organeve, sëmundjet e gjakut dhe enëve te gjakut, sëmundjet ortopedike, rastet kardiokirurgjisë etj”, theksohet në përgjigje.
Pavarësisht se në spitalet tona vazhdon trajtimi i shumë sëmundjeve të rënda, shpesh herë mungesa e përkrahjes institucionale si për terapi, për trajtim të vazhdueshëm e sigurim të barërave esenciale, e hedh në mëdyshje faktin se a do të mund të gjejnë kurën e nevojshme pacientët me probleme të ndryshme të shëndetit./Lajmi