90 për qind e kontributdhënësve në Trust kanë kursime më pak se 10 000 euro

14 qershor 2022 | 15:57

Instituti GAP ka organizuar të martën tryezë diskutimi ku publikoi raportin “Ndikimi i tërheqjes së kursimeve pensionale deri në 30 për qind në ekonominë e Kosovës”.

Agron Demi, drejtor i hulumtimeve në Institutin GAP, ka treguar se qëllimi i këtij raporti është të analizojë ndikimin që mund të ketë aprovimi i këtij projektligji në kursimet e qytetarëve në Trust, ekonomi dhe funksionimin e Trustit.

Rrona Zhuri, hulumtuese në Institutin GAP, ka prezantuar të gjeturat kryesore të raportit ku theksoi që ky projektligj do të prekë mbi 695,000 mijë kontributdhënës të Trustit dhe në rast të tërheqjes nga të gjithë këta kontributdhënës, gjithsej shuma e tërhequr do të jetë 594 milionë euro.

Rreth 90 për qind e kontributdhënësve në Trust kanë kursime në vlerë më të ulët se 10 mijë euro dhe nga ta, rreth 337 mijë qytetarë do të mund të tërheqin mesatarisht nga 96.5 euro, meqenëse kursimet e tyre nuk i arrijnë as 1,000 euro. Për më shumë, ajo theksoi se futja e një shume të këtij lloji në ekonomi, do të ndikonte në rritjen e kërkesës, duke rënduar kështu edhe më shumë situatën me rritjen e çmimeve.

Si përfundim, Instituti GAP ka rekomanduar që të vazhdohet me politika për zbutjen e krizës, si dhe të bëhet reformimi i Skemës së Ndihmës Sociale, ngase kriteret aktuale ligjore se kush mund të përfitojë nga kjo skemë lënë shumë familje të varfra jashtë skemës.

Besnik Bislimi, zëvendëskryeministër i parë i Qeverisë së Kosovës, ka theksuar se Qeveria e Kosovës është kundër tërheqjes së kursimeve pensionale dhe se nuk e përkrah një nismë të tillë.

Sipas Bislimit, nisma të tilla që synojnë të prekin fondin pensional do të dërgojnë në shkatërrimin e kësaj shtylle të rëndësishme të shtetit. Për më shumë, ai theksoi se numri më i madh i kontributdhënësve do të mund të tërhiqnin një pjesë të vogël të mjeteve në kuadër të këtij ligji, dhe se rritja e parasë në treg në një periudhë kur po përballemi me inflacion të importuar nuk është politikë adekuate.

Bekim Haxhiu, deputet i Kuvendit të Kosovës, gjithashtu edhe inicues i plotësim ndryshimit të këtij Projektligji, ka theksuar se tërheqja e kurismeve pensionale nuk do të ndikojë në investimet e Trustit pensional.

Ai tregoi se tërheqja e kursimeve bëhet në mënyrë vullnetare dhe se mjetet e tërhequra do t’u ndihmonin qytetarëve që ta kalonin më lehtë këtë periudhë të ngritjes së çmimeve.

Në tryezë morën pjesë dhe përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, sikurse nga Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe mediet.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari –…