AUV-i: Therjet e kurbaneve të bëhen në thertore të licencuara
Therjet rituale për festën e Kurban Bajramit, por edhe therjet e rëndomta duhet të realizohen vetëm në thertoret e aprovuara nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV).
Kështu ka njoftuar sot kjo agjenci nëpërmjet një njoftimi për medie.
“Andaj të nderuar qytetarë të besimit islam me rastin e festës se ‘Kurban Bajramit’, e cila festohet me datë 6 qershor e premte. Në frymën e respektimit të ligjit dhe ruajtjes se shëndetit publik, ju kërkojmë qe therjen e kurbaneve ta bëni vetëm në objektet e thertoreve. Therja jashtë këtyre objekteve, përveçse se përben shkelje ligjore ajo rrezikon shëndetin e përgjithshëm publik. Tani qe po mbretërojnë temperatura të larta, rritet rreziku i kontaminimit të produkteve qe i ekspozohen të nxehtit”, është thënë në njoftimin e AUV-it.
Objektet e thertoreve përveç se janë nën mbikëqyrje të autoritetit shtetërorë, sipas AUV-it, aty secila kafshë i nënshtrohet kontrollit para therjes, gjatë procesit të therjes dhe pas therjes.
“Objektet posedojnë frigoriferë, kushte teknike sanitare dhe higjienike. Në të gjithë vendin ka thertore për therjen e kafshëve, të cilat kanë kapacitete të mjaftueshme për të plotësuar nevojat e qytetareve”, ka njoftuar AUV-i.
Lista e thertoreve të aprovuara gjenden në uebfaqen e AUV-së: https://auvk.rks-gov.net/bizneset/bizneset-e-aprovuara-per-ushqime-me-origjine-shtazore/



