Haxhiu: LV-ja s’përkrah qeveri teknike, do të ketë ‘Kurti 3’

30 tetor 2025 | 16:09

Nënkryetarja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, e cila është edhe nënkryetare e Kuvendit është pyetur të enjten nga gazetarët për deklaratat e shpeshta të partisë së saj se i kanë numrat për qeverinë dhe se në fund s’doli ashtu.

“A do t’i kërkoni falje që keni gënjyer?”, ishte pyetja e një gazetari.

Haxhiu ka thënë se qeveri “Kurti 3” do të ketë, por se “përkohësisht” s’ka.

“Mendoj që qytetarët e Kosovës, sikurse ju, e keni parë që qeveria Kurti s’është votuar. Por, nuk është votuar vetëm përkohësisht sepse ajo do të bëhet. Natyrisht që do të ketë qeveri ‘Kurti 3’”, ka thënë ajo.

Ndërsa e pyetur nëse Vetëvendosje përkrah një qeveri teknike, Haxhiu ka mohuar se partia e saj do të bëjë një gjë të tillë.

“Nuk e përkrahim një qeveri teknike. Qytetarët e Kosovës kanë vendosur, qytetarët e kanë votuar Albin Kurtin, pra si personin më të votuar në Republikën e Kosovës. Lëvizjes Vetëvendosje i kanë dhënë mbështetje maksimale, ne jemi falënderues për këtë, prandaj në qoftë se nuk do të ketë numra, natyrisht që vendi duhet të shkojë në zgjedhjeve të jashtëzakonshme ndonëse ju e dini që ne s’e kemi dëshiruar këtë, por rrethanat politike na imponojnë”, ka thënë Haxhiu.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Njohja e Kosovës shtet i pavarur e sovran nga Siria,…