Agon Maliqi mohon se do t’i bashkohet LDK-së

26 nëntor 2025 | 12:05

Njohësi i çështjeve politike, Agon Maliqi, ka mohuar se do t’i bashkohet LDK-së.

Ai ka thënë se nuk e ka në plan të jetë pjesë e partive politike.

“Angazhimi im publik dhe bindjet e mia politike gjithmonë kanë qenë transparente, shpesh ndoshta më shumë se sa që duhet. Prandaj si përgjigje ndaj një lajmi të publikuar mbi aderim në parti politike në këto zgjedhje (konkretisht në LDK) them: jo, nuk e kam në plan. Për aq sa dikujt i interesojnë sqarimet: i kam mbi supe disa angazhime afatgjata në rrafshin rajonal e ndërkombëtar, që edhe janë publike, e ku ndihem edhe profesionalisht i përmbushur, e edhe i dobishëm për kauzat në të cilat besoj, e për të cilat shprehem çdo ditë. Them se ky lloj angazhimi është më i dobishëm se ai në parti politike, jo pse angazhimi politik është i keq dhe i padobishëm – përkundrazi – por edhe sepse gjithkush duhet të jetë i vetëdijshëm për anët e tija të forta dhe të dobëta, pra se ku mund të prodhojë më shumë rezultate. E unë jam i vetëdijshëm se për nga natyra edhe nuk jam fort lloj i njeriut që siguron vota dhe i prerë për atë punë”.

“Në anën tjetër, për kureshtje të portaleve – po, me kënaqësi dhe shpesh takohem me liderë e zyrtarë të partive ish-opozitare ku kam shumë miq – në këtë rast me zt.Abdixhiku të cilin e njoh prej kohës së tij në shoqëri civile – sidomos nëse i respektoj dhe nëse besoj se janë pjesë e zgjidhjes, dhe jo pjesë e problemit, në tejkalimin e theqafjes politike të Kosovës. Dhe do t’i takoj edhe në të ardhmen, sa herë që vlerësojnë se mendimi im mund të ketë vlerë”, ka shkruar Maliqi në “Facebook”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka bërë të ditur se…