Gjykata Supreme liron nga akuza Murat Meha dhe Miradije Meha
Pas afro një dekade proceduresh dhe vendimesh të padrejta gjyqësore, me akuza të pabazuara, më 30.05.2024 publikohet Aktgjykimi i Gjykatës Supreme në Prishtinë, i cili hedh poshtë vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe atë të Gjykatës së Apelit kundër Murat Meha dhe Miradije Meha. Të pandehurit lirohen nga akuza, pasi është vërtetuar se ata nuk kanë kryer veprën penale për të cilën akuzoheshin padrejtësisht. Ata kanë dokumentuar në mënyrë të plotë dhe të saktë pronën e paluajtshme në formularët për Deklarim Pasurie.
Jemi krenar që gjatë tërë karrierës profesionale, deri në pensionim, asnjëherë nuk kemi qenë të dënuar me aktgjykim të formës së prerë. Ky aktgjykim vërteton se “drejtësia mund të vonohet, por patjetër del në shesh dhe të pandehurit lirohen nga barra dhe paragjykimet”.
- Aktgjykim nga Gjykata Supreme – Prishtinë
- Numri i lëndës: 2019:107363
- Data: 30.05.2024
- Numri i dokumentit: 05756834
- Pml.nr.: 277/2024
Me miratimin e kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë të paraqitur nga mbrojtësi i të pandehurve Miradije Meha dhe Murat Meha, ndryshohet aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm, P.nr.2028/20 i datës 18.05.2022, si dhe aktgjykimi i Gjykatës së Apelit – Departamenti i Përgjithshëm, PA1.nr.1237/2022 i datës 13.02.2024. Bazuar në nenin 363 paragrafi 1.1 të Kodit të Procedurës Penale (KPP), të pandehurit lirohen nga akuza.
Gjykata Supreme e përmbyll aktgjykimin me paragrafin përfundimtar në faqen 7, si vijon:“Nga të gjitha këto, Gjykata Supreme e Kosovës vlerëson se aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë është i përfshirë me shkelje të ligjit penal, të cilat nuk janë mënjanuar nga ana e gjykatës së shkallës së dytë, e cila vendosi sipas mjetit të rregullt juridik. Pretendimi i mbrojtësit të të dënuarit, i paraqitur në kërkesë, ishte i bazuar, andaj për këtë arsye u vendos që, konform nenit 438 paragrafi 1 nënparagrafi 1.1 të KPP-së, aktgjykimet e kundërshtuara të ndryshohen si në dispozitiv të këtij aktgjykimi.”



