Azem Syla vizitoi familjen e ngushtë të heroit të kombit, Adrian Krasniqi, në Tiranë
Ish-komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Azem Syla, ka vizituar familjen e ngushtë të heroit të kombit, Adrian Krasniqi, në Tiranë.
Në këtë vizitë, ai nderoi një familje që për breza të tërë ka mbajtur gjallë vlerat më të larta atdhetare dhe sakrificën e pashuar për lirinë e Kosovës, raporton “Epoka e re”.
Familja Krasniqi, e njohur për virtytet e saj të larta patriotike dhe përkushtimin e palëkundur ndaj çështjes kombëtare, mbetet një shembull i qëndresës dhe i krenarisë sonë historike.
Shtëpia e tyre, dikur bazë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishte strehë, mbështetje dhe simbol i rezistencës në kohët më të vështira të luftës për liri.
Nderimi për Heroin e Kombit, Adrian Krasniqi, dhe respekti për familjen e tij janë dëshmi se sakrifica e dëshmorëve dhe kontributi i familjeve të tyre janë themeli i lirisë dhe i shtetësisë sonë.



