Erdha, pashë, fitova

02 dhjetor 2025 | 09:12

Skënder Zogaj

Xhevat B. Muqakut, Nga rrahjet e zemrës, poezi, N. Sh. Armagedoni, Prishtinë, 2025

Arti i ëmbël dhe i bukur, në të gjitha zhanret dhe format krijuese, parimisht ka për qëllim të gudulis ndjenjat e auditorit, me dëshirën e pushtimit sa më të fuqishëm dhe të bashkë udhëtimit sa më të gjatë. Ky është misioni i arteve të bukura: përpjekja e artistëve për ta joshur botën shpirtërore të njerëzimit nëpër breza dhe për ta pasuruar traditën kulturore të popujve.

Në këtë synim, mendoj se letërsia ka qenë, deri në ditët tona, pushtuesja më e fuqishme – edhe në botën shqiptare, e cila tashmë ka një shumësi të madhe krijuesish të suksesshëm që po e frytëzojnë fjalën dhe mendimin artistik shqiptar me vlera të lakmueshme. Rritja e numrit të krijuesve është realitet i dukshëm, sikurse edhe zgjerimi i gamës artistike të letërsisë. Veçimi i individëve të spikatur nuk është më i lehtë, sepse po shfaqen reflektime të forta frymëzimi në të gjitha trevat shqiptare, por edhe në diasporë, nga e cila po lindin kultivues të shkëlqyer të fjalës së bukur dhe të ngrohtë shqipe.

Krijuesit e diasporës shqiptare, sidomos ata kosovarë, vazhdojnë të jenë thellësisht të lidhur me atdheun e tyre. Nga jeta e mërgimtarëve tanë shihet qartë se ata mbartin dy preokupime kryesore: forcimin ekonomik familjar, që shpesh lidhet me ndihmën ndaj atdheut, dhe ëndrrën e kthimit në vendlindje – ëndërr e flaktë, sidomos te krijuesit, të cilët trupin e kanë në diasporë, por mendjen dhe zemrën në atdhe.

Një ndër ta është edhe poeti Xhevat B. Muqaku, që vargut të veprave të tij ia shtoi librin me poezi “Nga rrahjet e zemrës.”

Titulli i bukur dhe nxitës më bëri ta shfletoj sapo më ra në dorë – dhe u gëzova shumë që e lexova, sepse ma përmbushi shprehjen e famshme të Jul Cezarit:

“Erdha, pashë, fitova.”

Zakonisht, njerëzit i dallon zemërgjerësia për t’i ndarë gjërat e bukura me të tjerët, por këtë herë, librin e Xhevat B. Muqakut dua ta mbaj për vete – jo në heshtje, por me bindjen e plotë se “Nga rrahjet e zemrës” është një vëllim poetik shumë i bukur, letrar dhe artistik, në shumë pikëpamje.

Këtë e pohojnë krijimet e autorit, duke e nisur që nga poezia e parë e librit, “Shapi dhe sheqeri së bashku”, ku në imazhin e një puthjeje fshihet një përjetim i thellë estetik:

Rrëmuja që pas shiut u zhduk

dashurinë s’e pëlqente.

Puthja s’ishte më,

vetëm buzët lëviznin vetvetiu;

ngaqë nata dhe hëna e artë

maçokun molisur e kishin.

Qumështi dhe përsheshi

që përbishtnoheshin me hilen

ç’të paprekur mbetën. (f. 5)

Kjo poezi hapëse shpalos me delikatesë kontrastin mes shijes dhe hiles së jetës, ku puthja simbolizon përplasjen e ndjenjës me rutinën. Në pak vargje, poeti arrin të krijojë një atmosferë poetike të brishtë, ku intimiteti njerëzor merr trajtën e një reflektimi estetik mbi dashurinë dhe kalueshmërinë.

Nuk mund të ndodhë ndryshe: zemra e poetit fluturon drejt vendlindjes – në Nekofc- dhe e shijon gjithë bukurinë magjepsëse të Drenicës. Aty, mes kallinjve të grurit e të elbit, pranë thekrës, në mushkëritë e gjelbra të natyrës, malet e bleruara nën elegancën e qiellit të kaltër ia shuajnë etjen poetit, i cili, jo rastësisht, i përkujton dallëndyshet e Shirokës.

Ky është malli tridhjetë e dyvjeçar i zemrës mërgimtare, i etur për ngrykëmarrje “për nënën aromë jasmini”, që ia mban afër muzën, duke e bërë të ndjehet “Gjergj i gëzuar” që

“karshi dritës polare

prej vetullës dardane vrojton…” (f. 14)

Dhe ecën krenar, cep më cep atdheut, nëpër dhe, gjurmëve të kumrisë, shijon ballokumet e Elbasanit, duke respektuar “Orën e pikënisjes”, që jo rrallë e shpie “Në arratisje”:

“Vetmia dhe qetësia në rritje

reflektimit simetrik në ujë i ngjante…

sikurse (…) shkove për t’u kthyer prapë.

O Zot, ruana – butë dhe ëmbël belbëzove.”

Në këto vargje alegorike ndihet një ngjyrim ironik i hollë, që pasqyron ecejaket e shpirtit poetik midis mallit dhe arratisjes, dashurisë dhe reflektimit, që shfaqen rrjedhshëm dhe të pastra stilistikisht duke e ruajtur ndjesinë e mallit, të peizazhit dhe brendisë poetike të realizuar me finesë, siç është poezia “Korife” :

Edhe në amshim udhëtove

me fjalën e ëmbël në gjuhë

dhe pendën e kaltër në dorë

gdhende me daltë romanin

e qëndise me laps poezinë

kohën, hapësirën, hyjnoren… (fq. 60)

Në pak vargje, poeti i jep figurës krijuese një përmasë mitike dhe të përjetshme. Me “pendën e kaltër në dorë” dhe “fjalën e ëmbël në gjuhë”, krijuesi shndërrohet në korife të frymëzimit, që “gdhend me daltë romanin” dhe “qëndis me laps poezinë”. Kjo poezi është një himn që ngrihet mbi kohën dhe hapësirën, duke prekur “hyjnoren”.

Ndjenja të një lirizmi imagjinar të thellë e të dendur, poeti ka shprehur në udhëtim shpirtëror midis reales dhe fantazisë, ku “muza Drenicën e kërcen” dhe “shpirtrat binjakë” takohen në ajër. Të këtij profili janë shumësia e krijimeve të librit, por për tu veçuar, me plot figuracion dhe gjuhë të shpenguara janë poezitë: Vera në vjeshtë, Do të doja, Herët apo vonë krasitur, Skënderi më porositi, Hija jote më shëron, etj., që dëshmojnë se autori ka guxim të eksperimentojë me ndërthurjen e ndjenjës me mendimin.

Vargje të ngrohta ka edhe poezia “Urime ditëlindja, Kosovë!” – ku dashuria për Kosovën lidhet me frymën e lirisë dhe sakrificës.

Vargjet “Shiko gjuhën e flakës së lirisë / ruaje dhe mate e paplojë me sy” janë një manifest poetik i kujtesës kombëtare, që fton për reflektim e përgjegjësi shpirtërore. Poeti bashkon intimen me kolektiven, duke krijuar një unitet të ndjenjës njerëzore dhe atdhetare që e ngre poezinë në nivel simbolik.

Ka shumë për tu thënë për vëllimin poetik “Nga rrahjet e zemrës” të Xhevat B. Muqakut, por po e nënvizoj manifestin e ndjenjës së kthjellët njerëzore, që e përbashkon dashurinë, mallin dhe kujtesën në një frymë të vetme poetike. Poezitë janë rrahje të sinqerta shpirti, që shndërrojnë përvojën jetësore në art të fjalës, duke e kthyer mallin në metaforë dhe dashurinë në frymë.

Muqaku është poet i qetë dhe i përulësisë estetike; ai nuk shpërthen me dramatizëm, por rrjedh me butësi e ndjenjë të përmbajtur, duke i dhënë lexuesit emocionin e pastër, si një frymëmarrje e thellë pas stuhisë. Në vargjet e tij, zemra është busulla që e orienton fjalën drejt bukurisë dhe së vërtetës. Në këtë kuptim, libri “Nga rrahjet e zemrës” është një udhëtim poetik drejt origjinës dhe dashurisë, ku çdo poezi lë gjurmë të qarta të një zëri që e njeh mirë dheun, njeriun dhe shenjtërinë e fjalës shqipe.

Lexuesi që hyn në këtë univers, siç thashë që në fillim, vjen, sheh dhe fiton — fiton kënaqësinë e një leximi të vërtetë poetik, që e lartëson dhe e pasuron shpirtin.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ari ka qenë në rritje për katër muaj rresht, i…