Ikonat e çlirimit dhe arkitektura e shtetit

02 dhjetor 2025 | 23:36

Shkruan: Ethem Çeku

Në studimin e zhvillimeve politike të Kosovës pas luftës, udhëheqësit e dalë nga UÇK-ja përfaqësojnë një kategori të veçantë të autoritetit politik, të rrënjosur në sakrificën historike dhe në legjitimitetin moral të çlirimit. Ramush Haradinaj dhe Agim Çeku i përkasin këtij modeli të rrallë lidershipi, ku përvoja e rrezikut ekzistencial për kombin bashkohet natyrshëm me pranimin e rregullave të demokracisë dhe respektimin e institucioneve të Republikës. Autoriteti i tyre nuk është produkt i strategjive të momentit, por i një përvoje themeltare të lirisë, të cilën teoria politike e njeh si një nga burimet më të fuqishme dhe të qëndrueshme të legjitimitetit në fazat e shtetndërtimit.

Kjo logjikë është në harmoni me përvojat e kombeve që kanë fituar lirinë përmes flijimit. Shtetet e Bashkuara zgjodhën disa nga presidentët e tyre më të rëndësishëm nga radhët e komandantëve të luftës; gjashtë prej tyre, si Washington, Jackson, Grant, Roosevelt, Truman dhe Eisenhower, erdhën drejtpërdrejt nga përvoja e betejave, duke dëshmuar se lidershipi i formuar në rrethana lufte sjell stabilitet, integritet dhe maturi historike në udhëheqjen e shtetit. Në Francë, de Gaulle mishëroi ringritjen e shtetit; ndërsa në Izrael, Kroaci dhe Slloveni, liderët e dalë nga lufta u bënë themel i stabilitetit dhe i funksionimit institucional.

Në Kosovë, ky proces mori një dimension të veçantë. Përveç barrës së shtetndërtimit, udhëheqësit e UÇK-së u ballafaquan me tentime të drejtpërdrejta për të dobësuar legjitimitetin e tyre historik dhe për të relativizuar rolin themelor të luftës çlirimtare në identitetin politik të vendit. Këto prirje përbëjnë vazhdimësi të dukurive që u shfaqën qysh nga brezat e artë të viteve 1968 dhe 1981, të cilët shpesh u margjinalizuan, ashtu si edhe elitat e rezistencës së mëvonshme. Goditjet nuk synonin individin, por simbolin filozofinë e lirisë që ka formësuar vetëdijen kombëtare të shqiptarëve.

Përballja me këto sfida nuk e dobësoi rolin e tyre, përkundrazi e forcoi, sepse u bë e qartë se delegjitimimi i figurave të çlirimit do të nënkuptonte delegjitimim të themelit historik të Republikës. Në këtë kuptim, vendi ka nevojë për njerëz me individualitet të formuar, profesionalizëm të provuar dhe integritet personal; për njerëz që e tejkalojnë kufirin e partive politike dhe i shërbejnë Atdheut, jo për figura të robëruara nga interesat e ngushta dhe fijet e feudeve politike. Vetëm njerëzit e lirë, me mendim të pavarur dhe identitet moral të qëndrueshëm mund ta mbajnë barrën e një shteti të dalë nga lufta dhe ta udhëheqin atë drejt stabilitetit dhe zhvillimit.

Prandaj mbështetja për elitat meritore të UÇK-së, për intelektualët me integritet dhe për njerëzit e përkushtuar që i kanë shërbyer Atdheut në momentet më të vështira të historisë është akt përgjegjësie qytetare dhe reflektim politik. Individë si Haradinaj dhe Çeku mishërojnë lidhjen organike midis sakrificës së djeshme dhe përgjegjësisë së sotme; ata janë pjesë e arkitekturës morale, institucionale dhe identitare mbi të cilën ngrihet Republika..

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në seancën e mbajtur të martën në Gjykatën Themelore në…