Rritja politike kërkon kurajo, jo mbrojtje nga konkurrenca e brendshme!
Shkruan: Blerim Canaj
Në një moment kur skena politike kosovare po shkon drejt një përballjeje të re më 28 dhjetor, Partia Demokratike e Kosovës duket sikur po përballet me një vendim që mund të përcaktojë jo vetëm rezultatin e zgjedhjeve, por edhe orientimin e saj strategjik për vitet që vijnë: rikthimin ose jo të Fatmir Limajt dhe NISMËS në listën zgjedhore të PDK-së.
Gjatë ditëve të fundit është krijuar përshtypja se brenda PDK-së ekziston hezitim, madje frikë, për ta quar këtë debat deri në fund. Por siç duket hezitimi nuk buron nga kalkulime elektorale por lidhet me interesa personale të disa individëve, të cilët e lexojnë rikthimin e Limajt si rrezik për pozicionet e tyre të brendshme. Dhe pikërisht këtu qëndron problemi strategjik i PDK-së.
Fatmir Limaj nuk është një figurë e jashtme që po kërkon strehë politike por është një nga themeluesit e PDK-së, një nga njerëzit që ka ndërtuar identitetin e partisë në periudhën më të rëndësishme të saj. Është e pamohueshme se lavdia, profili dhe fuqia mobilizuese e PDK-së në dekadën e parë lidhen edhe me kontributin e tij.
Si ministër i Transportit, Limaj ka lënë pas projekte konkrete, të matshme, që sot identifikohen me PDK. Infrastruktura rrugore që modernizoi Kosovën dhe krijoi lidhjet e para serioze rajonale. Andaj kjo nuk është tentativë për rehabilitim por është trashëgimi. Kjo nënkupton që rikthimi i tij do të ishte rikthim në shtëpinë në të cilën ai ka qenë bashkëndërtues, e assesi nuk do të ishte vetëm një kompromis politik.
Gjatë viteve të fundit, brenda PDK-së është vërejtur një tkurrje e profilit të figurave të luftës, një nga identitetet bazë mbi të cilat është ndërtuar partia. Kjo e ka dobësuar lidhjen emocionale të PDK-së me një pjesë të elektoratit, sidomos me veteranët, familjet e dëshmorëve dhe strukturat tradicionale që historikisht kanë mbajtur PDK-në në pushtet. Limaj, me gjithë bagazhin e tij të luftës dhe përvojën institucionale, e plotëson pikërisht këtë boshllëk. Ai e përforcon karakterin identitar të PDK-së dhe kthen një ekuilibër që është ndjerë i munguar.
Sipas analizave të brendshme dhe perceptimit publik, Limaj dhe NISMA mund t’i shtojnë PDK-s rreth 20–25 mijë vota shtesë, të garantuara përmes strukturave të tyre dhe bazës besnike e me këtë 2–3 deputetë shtesë, që në zgjedhje të ngushta mund të jenë vendimtare. Natyrisht, kjo do të mund të siguronte edhe kthimin apo riaktivizimin e shumë figurave të rëndësishme, dikur pjesë e PDK-së, të cilat në heshtje presin një sinjal serioz të reformimit dhe unifikimit të partisë.
Asnjë subjekt politik serioz nuk heziton t’i marrë këto benefite. Vetëm frika personale mund t’i mbyllë sytë përballë një leverdie të tillë strategjike.
Është e qartë se kundërshtimi i rikthimit të Limajt nuk është racional, nuk është elektoral dhe as nuk lidhet me interesin e partisë. Duket sikur kundërshtimi vjen nga inferioriteti politik i disa individëve që e shohin integrimin e tij si rrezik për pozicionet e tyre personale.
Por një parti që aspiron të qeverisë vendin nuk mund të jetë peng i kalkulimeve të tilla. PDK nuk mund të jetë pronë e askujt, e aq më pak e logjikës së frikës nga konkurrenca e brendshme. Partitë e mëdha ecin përpara duke integruar, jo duke përjashtuar.
PDK duhet të dërgojë mesazh të unitetit dhe pjekurisë politike. Rikthimi i Limajt do të tregonte se PDK është e matur, sepse di të ngrihet mbi interesat personale dhe njëkohësisht ajo duket se është strategjike sepse e kupton rëndësinë e figurave me peshë. Kjo do të reflektonte edhe faktin që ajo është parti unifikuese sepse e vendos interesin e partisë mbi egot individuale dhe natyrisht e hapur për rikthim, për ata që kanë kontribuar dhe duan të kontribuojnë sërish.
E ky do të ishte sinjali më i fortë se PDK është gati për pushtet dhe se zgjedhjet e 28 dhjetorit nuk do t’i trajtojë si një cikël të zakonshëm, por si mundësi për rimëkëmbje të madhe.
Por, për ta bërë këtë PDK dhe lideri i saj duhet të kuptoj që tani është koha për guxim politik. Në këtë pikë, pyetja nuk është nëse PDK duhet ta fusë Limajn në listë. Pyetja është: a do të lejojë PDK që interesat personale të disa individëve të kushtëzojnë fatin e partisë?
Një parti që synon udhëheqjen e vendit duhet t’i tejkalojë vijën e frikës së brendshme dhe t’ i kthehet logjikës së interesit kolektiv. Fatmir Limaj dhe shumë nga strukturat që ai sjell nuk janë një opsion por janë një aset strategjik. PDK nuk duhet të ketë inferioritet. Duhet të ketë vizion.



