Etika e numrave

04 dhjetor 2025 | 11:40

Shkruan: Lulzim BEQIRI

Kur lajmi prek ekonominë e njeriut të zakonshëm

Sot në barnatoren e lagjes, takova axhën Bedri, një pensionist 73 vjeçar që po blinte barna rezervë, edhe pse e pranoi se nuk i kishte paratë e mjaftueshme për gjera tjera jetësore, në lajme e dëgjova se po rriten çmimet përsëri, e po i marr sa janë ende me këtë çmim më tha me shqetësim. Në atë moment mendova, duhet kujdes në raportime se pasojat nuk i ndien vetëm ekonomia,  i ndien çdo njeri që jeton prej saj,ashtu si axha Bedri.

Sipas Hibrid.info për periudhën korrik 2024 – qershor 2025, janë identifikuar 640 raste të keqinformimit të publikut, politika zë 45 %, Siguria 20 %, temat sociale 16 %.

Sipas Kristoffer Persson në Suedi është zhvilluar një matës i sentimentit të mediave ekonomike, mbi një bazë të dhënash të mediave ekonomike suedeze gjatë periudhës 1993–2017, në total, klasifikohen 179,846 artikuj mediatikë nga 1,071 media të ndryshme, ku rezultatet tregojnë se ky indeks shkakton ndryshime në perceptimin e individëve për gjendjen makroekonomike.

Në realitet kjo nënkupton se si mediat paraqesin lajmet ekonomike për vendin, individët e perceptojnë realitetin ekonomik në përgjithësi.

Në një kohë kur informacioni ekonomik ka ndikim të madh në zhvillimin e vendit, gazetaria ekonomike në Republikën e Kosovës duhet të marrë një rol thelbësor  jo vetëm për të informuar, por për t’u ndihmuar qytetarëve ta kuptojnë realitetin pas numrave që u paraqiten çdo ditë.

Çdo shifër, përqindje apo raport financiar që publikohet në mediat kosovare bart peshën e besimit publik. Një situatë ekonomike e keqinterpretuar mund të shkaktojë panik, të dëmtojë buxhetet familjare ose të krijojë një pasqyrë të shtrembëruar për gjendjen e ekonomisë, siç ka ndodhur shpeshherë në të kaluarën.

Raportimi ekonomik kërkon më shumë sesa njohuri për inflacionin apo rritjen ekonomike kërkon etikë profesionale, ndershmëri dhe ndjeshmëri publike. Gazetari që merret me ekonomi duhet të jetë i kujdesshëm në çdo fjali që shkruan, sepse fjala e tij mund të ndikojë drejtpërdrejt në vendimmarrjen e publikut, në perceptimin e tregut dhe madje në stabilitetin ekonomik. Në disa raste, rritja e çmimeve apo lëvizjet e tregut janë nxitur nga raportime të pasakta ose të pakontrolluara për situatën reale në vend.

Raporti i World Economic Forum “Global Risks 2025” përmend në një mostre prej 47 vendeve, vetëm 40% e të anketuarve thanë se i besonin shumicës së lajmeve.

Shembuj të ndikimit të raportimit ekonomik


Shembull pozitiv: Transparenca për çmimet e derivateve (Kosovë, 2022)

Kur gazetaria ekonomike bëri publike dallimet e mëdha në çmimet e derivateve mes kompanive të naftës, institucionet shtetërore u detyruan të ndërhyjnë. Si pasojë, u reduktuan menjëherë praktikat abuzive dhe u rrit transparenca në treg. Kjo solli jo vetëm çmime më konkurruese, por edhe rritje të besimit të konsumatorëve, të cilët ndiheshin të mbrojtur nga zhvatja e panevojshme e buxhetit të tyre familjar. Pikërisht ky është roli thelbësor i gazetarisë ekonomike  të informojë me përgjegjësi, të ngrejë zërin për drejtësi ekonomike dhe të mbrojë interesin publik.

Shembull negativ: Raportimet e shtrembëruara për borxhin publik (Kosovë, 2024)

Disa media në Kosovë publikuan lajme me tituj alarmues për rritje të papërballueshme të borxhit publik pa e trajtuar me kujdes etikën e numrave dhe pa e shpjeguar faktin se niveli i borxhit të Republikës së Kosovës mbetet ndër më të ultë në rajon. Në realitet, ky borxh ka bazën te Ligji për Menaxhimin e Financave Publike në Kosovë i cili e kufizon borxhin publik në maksimum 40% të PBB-së, prandaj shteti është ende brenda kufijve të sigurisë fiskale, kjo mënyrë e raportimit krijoi një perceptim të gabuar për gjendjen ekonomike, duke ndikuar negativisht në besimin publik dhe në ritmin e zhvillimit ekonomik të vendit.

Qytetarët shpesh bëhen viktima të kontradiktave në raportimet ekonomike, një palë zakonisht përfaqësues të qeverisë, ofrojnë statistika optimiste që japin përshtypjen e një zhvillimi të qëndrueshëm, ndërsa pala tjetër, shpesh nga radhët e opozitës, paraqet të dhëna më pesimiste që mund të krijojë pasiguri te publiku dhe te investitorët potencialë.
Pikërisht për këtë arsye, gazetari i fushës së ekonomisë duhet të ofrojë informata të sakta, të verifikuara dhe të paanshme, duke ndihmuar publikun të formojë mendim të drejtë dhe të balancuar mbi realitetin ekonomik të vendit.

Raportimi ekonomik  mes informimit dhe përgjegjësisë

Në kontekstin aktual të Republikës së Kosovës, ku titujt ekskluzivë shpesh marrin përparësi ndaj saktësisë së të dhënave, rreziku që shpejtësia e lajmit të zëvendësojë saktësinë është i dukshëm. Kjo vërehet në raportimet tepër optimiste apo pesimiste të palëve ndryshme në publikimet e tyre ne rrjetet sociale. Megjithatë, ekonomia është një fushë ku çdo fjalë ka rëndësi, një interpretim i pasaktë i inflacionit, buxhetit, pasqyrave financiare, rekomandimeve të auditorit apo borxhit publik mund të shtrembërojë perceptimin e qytetarëve për realitetin ekonomik dhe të shkaktojë panik apo pasiguri të panevojshme, gjithashtu jep një mesazh negativ tek investitorët potencial.

Ekonomia nuk është thjesht një tabelë me shifra  ajo është rrëfim për njerëzit, për jetesën, për punën dhe për shpresën. Kjo bëhet edhe më e qartë në realitetin aktual të Kosovës, e cila po përballet me masa nga Bashkimi Evropian, mungesë funksionaliteti institucional, rritje të vazhdueshme të çmimeve dhe vakume të theksuara në ndërmarrjet publike, agjencitë qeveritare dhe autoritetet që raportojnë para Kuvendit. Këtyre u shtohet edhe mungesa e miratimit të buxhetit të shtetit një situatë që ndikon drejtpërdrejt në stabilitetin ekonomik dhe besimin qytetar. Në këtë kuptim, etika e numrave duhet të bëhet udhërrëfyes i gazetarit të ekonomisë sepse gazetaria ekonomike është dritarja e besimit të qytetarëve.

Besimi ndërtohet me etikë

Raportimi ekonomik duhetmat nivelin e besimit që krijon tek publiku e jo me numrin e leximeve apo klikimeve.

Gazetarët e ekonomisë mund të bëhen partner të zhvillimit ekonomik duke raportuar me kujdes, ndershmëri e saktësi, Kosova ka nevojë për këta gazetarë që ta trajtojnë ekonominë si çështje të përbashkët publike, jo vetëm si statistikë.

Vetëm përmes etikës dhe profesionalizmit mund të ndërtohet një gazetari që nxit transparencë, jo dyshim që shpjegon realitetin, jo e mjegullon atë.

Ekonomia mund të matet me numra, por besimi matet me etikë. Prandaj, gazetari i ekonomisë është porta e shpresës për shumë qytetarë e biznese,  ai që raporton me drejtësi, interpreton me kujdes numrat, opinionet dhe statistikat, pa u ndikuar nga politika apo grupet e interesit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka dënuar fuqishëm gjuhën…