Thaçi betohet si kryetar i Obiliqit, premton qeverisje transparente
Në Shtëpinë e Kulturës në Obiliq është mbajtur seanca konstituive e Kuvendit Komunal. Në këtë seancë është bërë betimi i kryetarit dhe 21 anëtarëve të tjerë komunal. Qeverisje të drejtë, të pastër, transparente dhe me llogaridhënie ka premtuar kryetari i ri i Obiliqit, Halil Thaçi.
Pas betimit si kryetar, ai ka nderuar dëshmorët e familjeve të Komunës së Obiliqit, teksa tha se lufta e UÇK-së do të mbetet vlera më e madhe e kombit.
“Ky rezultat është i popullit jo i individit. Faleminderit për gjithë ish-kryetarët e Komunës së Obiliqit për kontributin e tyre ndër vite. Secili ka pasur sfida dhe suksese në kohën e tij. Sot unë nuk nisem me mohimin por me respektimin për ata që e ndërtuan këtë komunë… Në një shtet të ri si Kosova, ku sakrifica e popullit për çlirimin e atdheut është e madhe dhe kujtimet janë të freskëta, ku shumë plagë ende janë të hapura, politika nuk duhet të jetë privilegj, politika është përgjegjësi. Nuk është pozitë që mbyllet pas nesh, por dritare që duhet të hapet për të gjithë. Kjo është qeverisja që kemi synuar, e drejtë, e pastër, transparente dhe me llogaridhënie. Ne do të punojmë për Obiliqin e të gjithëve, për një komunë që nuk i ndahet qytetarëve, por u shërben atyre pa dallim, pa privilegje por me të drejta të barabarta për të gjithë”, ka thënë ai.
Thaçi ka premtuar zhvillim ekonomik dhe investime në arsim e infrastrukturë.
Seanca konstituive është udhëhequr nga anëtari më i vjetër, Enver Gashi.



