Luan Shllaku: Mosinvestimi i gjatë në kapacitetet e Kosovës rrit varësinë nga importi
Të gjitha vendet e rajonit blejnë dhe shesin energji elektrike. Kur energjia (elektronet) futet në rrjet, ajo nuk mban flamurin e shtetit të origjinës, por bëhet pjesë e sistemit të përbashkët të transmetimit rajonal. Energjia në rrjet përzihet fizikisht, dhe kjo është e pashmangshme.
Le ta imagjinojmë se kemi një rezervuar me ujë që furnizon të gjithë një fshat, i cili mbushet nga disa burime apo puse përreth. Asnjë shtëpi nuk e di nga cili burim i ka ardhur uji në rubinet. E njëjta gjë vlen edhe për tregun e energjisë: askush nuk mund të dijë fizikisht nga cili vend po vjen energjia.
Kjo nuk është opinion – kështu funksionon sistemi evropian i energjisë. Sapo energjia futet në rrjet, ajo përzihet me energjinë e të gjitha vendeve përreth. Siç thashë, elektronet nuk mbajnë “targa shqiptare” apo “targa serbe”.
Dhe, sa di unë, nuk ka mënyrë teknike për të dalluar origjinën fizike të energjisë. A blen Kosova energji nga Serbia? Po, ndodh — sepse tregu blen aty ku është më lirë, jo aty ku është “patriotike”. Por edhe Serbia shpesh importon dhe eksporton. Edhe Kosova importon dhe eksporton. Edhe Shqipëria.
Po paratë kujt i shkojnë?
Kur Kosova blen energji, paratë nuk i shkojnë atij që i ka prodhuar fizikisht elektronet (sepse kjo nuk dihet). Paratë i shkojnë kompanisë që ka kontratën për shitje, si EFT e Vuk Hamoviqit, GEN-I, NOA etj. Këto kompani marrin marzhin e tyre të fitimit, sepse energjia është mall tregu.
Pra, energjia nuk blihet nga një shtet, por nga oferta më e lirë në treg.
Por debati i vërtetë — tashmë i nisur — është nëse ka mundësi abuzimi nga Qeveria. Po, këtu qëndron thelbi i debatit. Ja disa pozicione që mundësojnë abuzimin e vendimmarrësve:
Mosinvestimi i gjatë në kapacitetet e Kosovës rrit varësinë nga importi. Gati pesë vjet pasi u miratua Strategjia e Energjisë, kapaciteti gjenerues u rrit për zero megavat! Në këtë mënyrë, varësia nga importi rriti rolin e tregtarëve privatë.
Tregtarët marrin fitime të majme, sidomos në kohë krize. Sa më e dobët infrastruktura kombëtare, aq më i fortë tregtari.
Pra, pyetja nuk është fare se nga cili vend po e blejmë energjinë — gjë që u diskutua ndër të tjera këto ditë. Pyetja e vërtetë është: pse Kosova nuk ka prodhim të mjaftueshëm që të mos ketë nevojë për Vuk Hamoviqët?
Prandaj, debati duhet të jetë, para së gjithash, për ngecjen e pashpjegueshme të ndërtimit të kapaciteteve të reja gjeneruese të energjisë elektrike.



