Departamenti i Orientalistikës i UP-së fiton çmimin e njohur botëror për përkthime nga gjuha arabe
Më 9 dhjetor 2025 në Doha të Katarit Departamenti i Orientalistikës në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës ka fituar “Çmimin Shejh Hamed për Përkthim dhe Mirëkuptim Ndërkombëtar”.
Çmimi prestigjioz u jepet individëve dhe institucioneve që merren me përkthime nga gjuha arabe në gjuhët e huaja.
Në edicionin e 11-të të ndarjes së këtij çmimi, anëtarët e jurisë vlerësuan punën dhe kontributin 53-vjeçar që profesorët e Departamentit të Orientalistikës e kanë dhënë në fushën e përkthimit të veprave letrare dhe kulturore nga arabishtja në shqip.
Fitues të këtij çmimi, këtë vit, përveç Departamentit në tërësi, ishin edhe dy profesorë të pensionuar të Orientalistikës, prof. Feti Mehdiu dhe prof. Muhamed Mufaku.
Çmimin e njëjtë, në vitin 2017, e ka fituar edhe profesori tjetër i këtij Departamenti, prof. Isa Memishi, për Fjalorin Arabisht – Shqip.
Në ceremoninë e ndarjes së çmimit morën pjesë autoritete të larta dhe ministra të shtetit të Katarit, anëtarë të misioneve diplomatike të akredituara në Doha, si dhe shkrimtarë, përkthyes dhe studiues.
“Çmimi Shejh Hamed për Përkthim dhe Mirëkuptim Ndërkombëtar” synon zgjerimin e komunikimit kulturor, promovimin e dialogut midis gjuhës arabe dhe gjuhëve të botës, forcimin e lidhjeve me institucionet akademike dhe kulturore dhe zgjerimin e bashkëpunimit në përkthim, në mësimdhënien e gjuhës arabe dhe ruajtjen e trashëgimisë së përbashkët kulttuore dhe njerëzore.
Në shkurt te vitit 2025, zyrtarë të lartë të institucionit që jep këtë çmim vizituan Universitetin e Prishtinës.



