313 fëmijë nga familjet në asistencë sociale përfitojnë nga Programi i Kuponëve për edukimin e hershëm
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ka njoftuar se ka përfunduar procesi i përzgjedhjes së përfituesve të Programit të Kuponëve për fëmijët e familjeve përfituese të Skemës së Asistencës Sociale.
Në kuadër të kësaj faze të zbatimit, 313 fëmijë janë përzgjedhur për të përfituar mbështetjen për ndjekjen e institucioneve private të licencuara të edukimit dhe kujdesit të fëmijërisë së hershme, përfshirë edhe mbulimin e transportit aty ku plotësohen kriteret.
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka bërë me dije se përzgjedhja e përfituesve është realizuar përmes një sistemi të automatizuar të rastësishëm, të përcaktuar në Udhëzuesin e Programit, proces i cili siguron transparencë dhe paanshmëri për të gjithë aplikuesit. “Pas përzgjedhjes automatike, Komisioni për Vlerësimin e Aplikimeve ka përfunduar verifikimin e dokumenteve dhe të dhënave të dorëzuara për secilin aplikim”, ka njoftuar MASHTI.
Familjet aplikuese do të njoftohen individualisht përmes platformës e-Kosova. Të gjitha familjet do të pranojnë SMS njoftues, ndërsa familjet përfituese do të marrin dokumentin zyrtar të kuponit në llogarinë e tyre në e-Kosova.



