Ngrihet aktakuzë për krime lufte, R.M dyshohet për vrasjen e 34 shqiptarëve

18 dhjetor 2025 | 10:18

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj R.M, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale krim i luftës kundër popullsisë civile.

Sipas aktakuzës, më 31 mars 1999, në fshatin Burim të Komunës së Malishevës, i pandehuri R.M., në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, dyshohet se ka marrë pjesë në vrasjen e 34 civilëve shqiptarë.

Po ashtu, R.M. akuzohet për përfshirje në shkatërrimin e pronës, dëbimin masiv të popullsisë civile dhe plaçkitjen e pasurisë së rreth 1.000 qytetarëve shqiptarë, të cilët, sipas Prokurorisë, nuk kanë qenë të përfshirë në veprime luftarake.

I pandehuri aktualisht ndodhet nën masën e paraburgimit deri në një vendim tjetër të gjykatës, ndërsa lënda është dërguar për shqyrtim dhe procedim në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në ndjekjen penale të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, me qëllim të sigurimit të drejtësisë për viktimat dhe vendosjes së përgjegjësisë penale për kryerësit, në përputhje me legjislacionin vendor dhe standardet ndërkombëtare.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
2.5 milionë euro për ndërtimin e Qendrës së re Kryesore…