Mamdani dhe vendimet e para që shkaktuan polemika ndërkombëtare
Zohran Mamdani, kryebashkiaku i parë mysliman i Nju Jorkut, ka nisur mandatin e tij me vendime që kanë ngjallur reagime të forta brenda dhe jashtë Shteteve të Bashkuara. Pas betimit mbi Kuran gjatë ceremonisë së inaugurimit, Mamdani ka shfuqizuar një sërë masash të paraardhësit të tij Eric Adams kundër antisemitizmit.
Mes masave të hequra është urdhëresa për miratimin e përkufizimit të termit nga International Holocaust Remembrance Alliance (IHRA), i cili i barazon disa kritika ndaj Izraelit me antisemitizmin. Kryebashkiaku gjithashtu ka hequr ndalimin që pengonte punonjësit dhe agjencitë bashkiake të bojkotonin Izraelin, si dhe vendimin që jepte policisë detyrën për të rregulluar aktivitetet protestuese pranë vendeve të kultit, pas manifestimeve pranë një sinagoge në Upper East Side.
Ministria e Jashtme e Izraelit ka cilësuar këto hapa si “të papërgjegjshëm” dhe të rrezikshëm, duke akuzuar Mamdanin se po hedh “benzinë antisemite mbi zjarr”. Protesta kanë shprehur edhe organizata hebraike lokale, përfshirë Federatën UJA dhe Këshillin e Rabinëve të Nju Jorkut, si dhe këshilltaren republikanë Inna Vernikov, e cila foli për heqjen e “mbrojtjeve të rëndësishme kundër diskriminimit ndaj hebrenjve”.
Nga ana e tij, Mamdani ka siguruar se angazhimi i tij për mbrojtjen e hebrenjve të qytetit mbetet i fortë dhe se zyrën për luftën kundër antisemitizmit e ka ruajtur: “Ajo që do të bëjmë është të respektojmë konkretisht angazhimin tonë për të mbrojtur hebrenjtë e Nju Jorkut,” tha ai në një konferencë për shtyp.
Vendimet e tij janë komentuar edhe në Itali. Maurizio Gasparri, kryetar i senatorëve të Forza Italia, i ka cilësuar veprimet “shqetësuese”, ndërsa Ivan Scalfarotto nga Italia Viva tha se hapi i parë i Mamdanit “dobëson masat kundër antisemitizmit dhe dërgon një sinjal shqetësues për komunitetin hebreik.”
Kryebashkiaku Mamdani po përballet kështu me sfidën e balancimit të angazhimeve sociale me mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve fetare në “Mollën e Madhe”.



