Bajrami: Nuk ka rrugë tjetër përveç ringritjes dhe rikthimit të LDK-së
Deputetja e zgjedhur e LDK-së, Hykmete Bajrami, e cila është edhe nënkryetare e partisë, ka falënderuar 126 mijë e 102 votuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës, dhe nga këta 57 mijë e 153, të cilët i kanë dhënë asaj besimin për të qenë deputete edhe në legjislaturën e dhjetë të Kuvendit të Kosovës.
“Votat për mua nuk janë vetëm shifër, për mua janë mirënjohje e thellë për punën që kam bërë gjatë këtyre viteve, por mbi të gjitha janë përgjegjësi e madhe që më shtyn të vazhdoj me të njëjtin përkushtim, ndershmëri dhe guxim. Gjatë mandateve të kaluara kam punuar pa u ndalur: kundër korrupsionit, për transparencë dhe llogaridhënie, për mbrojtjen e interesit publik, për forcimin e shtetit të së drejtës, për drejtësi sociale dhe barazi, aq sa kam pasur hapësirë dhe kapacitet. Por lufta nuk ka mbaruar. Sot, më shumë se kurrë, propaganda, korrupsioni dhe përpjekjet për rrënimin e demokracisë po sulmojnë themelet e shtetit tonë. Kundër tyre do të vazhdoj të jem zëri i juaj, pa kompromis dhe pa frikë. Do të punoj çdo ditë për të vërtetën, sepse vetëm e vërteta na çliron, na bashkon dhe na çon përpara”, ka shkruar ajo në “Facebook”.
Bajrami ka thënë se bën të qartë për secilin se vetëm një gjë nuk është opsion: dorëzimi i LDK-së.
“Pavarësisht rezultatit, pavarësisht rrethanave, LDK ka ndërtuar dhe ndërton çdo ditë standarde, edhe kur fiton, edhe kur nuk arrin rezultatin për të cilin ka punuar dhe ka synuar. Rezultati i 28 dhjetorit është përgjegjësi për secilin prej nesh, mësim për secilin prej nesh dhe reflektim për secilin prej nesh. Nuk ka rrugë tjetër përveç ringritjes dhe rikthimit të LDK-së, duke vendosur gjithmonë LDK-në para individit dhe Kosovën para çdo partie. E kam shkruar dhe po e përsëris edhe një herë: së bashku nuk do të ndalemi, LDK duhet dhe do të rikthehet e para, me punë, me besim dhe me ekip”, ka shkruar Bajrami.



