Rrezik nga orteqet, policia shqiptare bllokon rrugën që çon drejt Thethit
10 janar 2026
| 19:59
Policia e Shtetit njofton se, për shkak të kushteve të përkeqësuara atmosferike dhe rrezikut nga orteqet e dëborës, segmenti rrugor Bogë–Qafë Thore–Theth do të mbetet i bllokuar gjatë natës.
“Sipas analizës së riskut dhe komunikimeve me inxhinierët e firmës kontraktore për mirëmbajtjen e rrugës, qarkullimi i automjeteve nuk do të lejohet gjatë orëve të natës, për shkak të rrezikshmërisë së lartë dhe kufizimit të fushëpamjes.Kalimi i automjeteve do të lejohet vetëm në raste emergjence dhe vetëm në shoqërim të mjeteve borëpastruese dhe shërbimeve policore”, thuhet në njoftimin e policisë.
Policia e Shtetit apelon drejtuesit e mjeteve që të respektojnë vendimin dhe të tregojnë kujdes maksimal në zonat me rrezik nga orteqet.



