Adhurim Krasniqi: Shkelje e rëndë e etikës diplomatike nga konsulli i Kosovës në Frankfurt

12 janar 2026 | 20:55

Veprimi i konsullit të Republikës së Kosovës në Frankfurt, Gëzim Gashi, i cili ka “pëlqyer” publikisht një shkrim ku ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, akuzohet për “vrasje”, përbën një akt të rëndë, të papërgjegjshëm dhe thellësisht të papranueshëm për një përfaqësues shtetëror.

Ky veprim nuk mund të trajtohet si lapsus, mendim personal apo keqkuptim. Ai përfaqëson një pozicionim të vetëdijshëm politik, të ndërmarrë nga një zyrtar i paguar nga taksat e qytetarëve për të përfaqësuar Republikën e Kosovës jashtë vendit. Një diplomat që legjitimon narrativa linçuese dhe akuza monstruoze ndaj Hashim Thaçit — shpallësit të pavarësisë dhe njërit prej shtetformuesve kryesorë të Republikës së Kosovës — nuk gëzon më asnjë legjitimitet moral për të mbajtur funksion publik.

Ironia dhe hipokrizia janë të plota: sot Gëzim Gashi përfiton pagë, status diplomatik dhe privilegje shtetërore nga po ai shtet që u ndërtua mbi themelet e vendosura nga Hashim Thaçi dhe bashkëluftëtarët e tij, ndërsa njëkohësisht “pëlqen” akuza të rënda dhe politikisht të motivuara kundër tyre.

Me këtë akt, Gashi ka dëshmuar qartë se nuk përfaqëson interesin e shtetit të Kosovës, por agjenda të ngushta politike dhe qëndrime personale përçarëse. Ai ka shkelur rëndë etikën diplomatike, ka cenuar dinjitetin e shërbimit të jashtëm dhe ka dëmtuar drejtpërdrejt interesin shtetëror të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Për këtë arsye, shkarkimi i tij i menjëhershëm është minimumi absolut i reagimit institucional. Çdo përpjekje për ta mbrojtur, relativizuar apo heshtur këtë skandal do ta ekspozojë Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës si bashkëpërgjegjëse në këtë degradim institucional dhe logjikë hakmarrëse politike.

Kosova nuk mund dhe nuk duhet të përfaqësohet nga individë që përdorin stemën e shtetit për të goditur themeluesit e tij, për të përhapur akuza të rënda, të paverifikuara dhe të motivuara politikisht.

Diplomacia nuk është Facebook.

Dhe shteti nuk është lodër personale.

Adhurim Krasniqi

Nënkryetar

Partia Demokratike e Kosovës në Zvicër

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ka ndërruar jetë në moshë të re Vijona Zogaj nga…