Rama për koalicionin LV-LDK: Çdo bashkëpunim që hap procese për ta transformuar vendin për të mirë është i mirëseardhur
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama është deklaruar të martën nëse do ta përkrahte një koalicion mes LDK-së dhe LV-së në nivel qendror.
Ai ka thënë se çfarëdo koalicioni që do të shërbente për të mirën e qytetarëve do të ishte i mirëseardhur, ndërsa ka hedhur poshtë mundësinë se ai mund të jetë në krye të LDK-së, por nuk ka lënë mundësinë se ai do të jetë aty për ta ndihmuar partinë nëse do të jetë e nevojshme, raporton Ekonomia Online.
“Unë po them se mendoj që të gjithë të zgjedhurit në kryeqytet, në vend, në Kosovë janë rezultat i votave të qytetarëve për të mirën e Kosovës, çfarëdo koalicioni që hap proceset për ta transformuar vendin për të mirë është i mirëseardhur. Sa kam qenë në komunë nuk kam pasur eksperiencë të mirë (me LV-në) sepse në dy vitet e para jam munduar për të bashkëpunuar por kanë qenë sabotues e bllokues. Uroj që të jenë bashkëpunues tash sepse nuk ecën shoqëria përpara me sabotime”, ka thënë Rama.
Ai ka theksuar se brenda LDK-së ka njerëz të mrekullueshëm që mund t’i çojnë proceset përpara dhe se ai nuk do të jetë personi që do të marrë drejtimin e kësaj partie.
“Unë kam cekur këtë çështje dhe më përpara se jam kryetar i kryeqyteti dhe kam mandat katërvjeçar. Kemi njerëz të mrekullueshëm brenda partisë që çojnë procese përpara, nuk mendoj se kanë nevojë për mua. Mirëpo unë jam këtu për kryeqytetin, për qytetarët e kryeqyteti, jam aty për ndihmë, për çfarëdo ndihme që ka nevojë, por fokusi im është për kryeqytetin”, ka deklaruar Rama.



