Producentja dhe gazetarja, Era Berisha sqaron deklaratën në emisionin “Zanat”: Nuk kam krahasuar dhunën ndaj grave me dhunimet gjatë luftës

13 janar 2026 | 20:58

Producentja dhe gazetarja Era Berisha ka reaguar publikisht pas interpretimeve që u bënë lidhur me një deklaratë të saj në emisionin Zanat, duke theksuar se në asnjë moment nuk ka bërë krahasim mes dhunës ndaj grave sot dhe dhunimeve gjatë luftës në Kosovë.
Në sqarimin e saj publik, Berisha shprehet se ndihet e obliguar profesionalisht dhe njerëzisht të reagojë, duke kërkuar ndjesë në rast se deklarata e saj është perceptuar apo interpretuar gabimisht. “Me përgjegjësinë më të lartë e them se në asnjë moment nuk kam bërë dhe nuk do të bëja kurrë një krahasim të tillë. Kam thënë vetëm se rastet e dhunës ndaj grave, fatkeqësisht, kanë qenë të pranishme dhe vazhdojnë të jenë edhe sot”, ka deklaruar ajo. Producentja Berisha ka theksuar se vetëm mendimi i një interpretimi të tillë e dhemb thellë, duke rikujtuar angazhimin e saj profesional ndër vite në realizimin e dokumentarëve dhe reportazheve për masakrat, dhunën ndaj grave dhe krimet çnjerëzore të kryera nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë. Ajo ka bërë të ditur se ka dëgjuar nga afër rrëfimet e grave të mbijetuara të dhunës, rrëfime që, sipas saj, kanë lënë plagë të thella shpirtërore, por njëkohësisht kanë dëshmuar forcën dhe qëndrueshmërinë e jashtëzakonshme të gruas.

Në reagimin e saj, Berisha ka kërkuar falje me përulësi ndaj të gjitha grave që mund të jenë ndier të lënduara apo të prekura nga kjo deklaratë, duke theksuar se asnjëherë nuk ka qenë ky qëllimi i saj. Ajo ka riafirmuar qëndrimin e saj të prerë kundër dhunës ndaj grave, duke nënvizuar se kjo dukuri duhet të dënohet pa asnjë rezervë, pavarësisht rrethanave dhe pavarësisht se nga kush vjen ajo. “Jam ajo që kam qenë gjithmonë dhe më përfaqëson puna ime deri më tani dhe ajo që do të vazhdoj të bëj në mbrojtje të grave, të viktimave dhe të luftës së drejtë të popullit tim”, ka theksuar Berisha. Në fund, producentja Era Berisha ka shprehur keqardhje për mënyrën se si disa media, sipas saj, kanë nxjerrë deklaratat jashtë kontekstit, duke i pompuar ato dhe duke i vendosur në tituj që nxisin reagime dhe linçim publik.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pasi njoftoi…