Abdixhiku takon Sorensen: BE-ja të vazhdojë angazhimin dhe mbështetjen për Kosovën
Edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka pritur në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Peter Sorensen.
Ai ka bërë me dije se në këtë takim, biseduan për situatën aktuale politike në vend dhe për proceset ndërkombëtare që e presin Kosovën.
“Theksova rëndësinë e stabilitetit institucional dhe konsolidimit demokratik në vend, si parakushte për funksionimin normal të institucioneve, për besimin e qytetarëve te shteti, për zhvillimin ekonomik, për tërheqjen e investimeve dhe për ruajtjen e kredibilitetit ndërkombëtar të Kosovës”.
“Në përmbyllje të takimit, shpreha pritjen që Bashkimi Evropian të vazhdojë angazhimin dhe mbështetjen për Kosovën, si në proceset e përgjithshme politike, ashtu edhe në rrugëtimin e saj drejt integrimit evropian dhe forcimit të perspektivës euroatlantike të vendit”, ka shkruar Abdixhiku në “Facebook”.



