Një muaj paraburgim për të dyshuar për plagosjen e trefishtë në Deçan
Gjykata Themelore në Pejë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të dyshuarit për plagosjene trefishtë në Deçan, ka bërë të ditur kjo gjykatë përmes një njoftimi zyrtar.
Sipas gjykatës, Departamenti për Krime të Rënda, me vendim të gjyqtarit të procedurës paraprake Sh.C., ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e paraburgimit ndaj të dyshuarit me inicialet I.Z.
“I dyshuari I.Z. dyshohet për veprën penale vrasje e rëndë në tentativë, nga neni 173 paragrafi 1 pika 1.1 lidhur me nenin 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe për veprën penale mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, nga neni 366 paragrafi 1 i KPRK-së”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore në Pejë.
Gjykata ka vendosur që masa e paraburgimit të zgjasë një muaj, duke filluar nga momenti i arrestimit të të dyshuarit.
“Paraburgimi i është caktuar për kohëzgjatje prej një muaji, duke filluar nga data 13.01.2026, ora 00:17, dhe do të zgjasë deri më 12.02.2026, ora 16:00”, thuhet më tej në njoftim.
Palët në procedurë kanë të drejtë ankese kundër këtij vendimi në afat prej 48 orësh, përmes Gjykatës Themelore në Pejë, në Gjykatën e Apelit në Prishtinë.
Rasti po trajtohet nga organet e drejtësisë si një nga ngjarjet më të rënda kriminale të ndodhura së fundmi në rajonin e Deçanit.



