Ambasadori italian bën homazhe në Reçak: Angazhimi për drejtësi vazhdon
Ambasada e Italisë në Prishtinë ka përkujtuar sot viktimat e masakrës së Reçakut të vitit 1999.
Me këtë rast, ambasadori italian në Kosovë, Maurizio Antonini, ka bërë homazhe në nderim të 45 civilëve të pafajshëm që humbën jetën.
Në njoftimin e publikuar nga Ambasada e Italisë është thënë se kujtimi për viktimat mbetet i përhershëm, ndërsa angazhimi për drejtësi vazhdon.
“Sot, ne nderojmë kujtimin e viktimave të masakrës së Reçakut të vitit 1999. I kujtojmë me respekt 45 civilët e pafajshëm që humbën jetën dhe riafirmojmë përkushtimin tonë ndaj drejtësisë, në mënyrë që ata të mos harrohen kurrë”, është thënë në deklaratë.
Më 15 janar 1999, forcat policore serbe, njësitë ushtarake dhe formacionet paramilitare serbe kishin hyrë në fshatin Reçak të komunës së Shtimes, ku patën vrarë mizorisht 45 civilë shqiptarë. Viktimat ishin ekzekutuar në rrethana që kishin tronditur opinionin vendor dhe ndërkombëtar.
Masakra ishte bërë e njohur për botën pas reagimit të menjëhershëm të atëhershëm të shefit të Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker, i cili, pasi kishte par nga afër trupat e pajetë të civilëve, ngriti alarmin për krime të rënda kundër njerëzimit që po kryheshin ndaj shqiptarëve në Kosovë.
Reçaku është shndërruar në simbol të vuajtjes dhe sakrificës së popullit të Kosovës, por edhe në një moment kyç që ka ndikuar në ndërgjegjësimin ndërkombëtar për realitetin e luftës, duke hapur rrugën për zhvillime vendimtare në fundin e saj.



