Situata energjetike në Kosovë, Rizvanolli: Njësitë B2 dhe A3 pritet të kthehen në operim mbrëmjen e nesërme
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka reaguar për situatën energjetike në Kosovë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ajo ka shkruar se aktualisht janë duke operuar tri njësi (B1, A4 dhe A5) të Korporatës Energjetike të Kosovës.
Sipas saj, ekipet teknike janë të angazhuara me tri ndërrime, 24 orë pandalur, për t’i rikthyer sa më shpejt në operim edhe njësitë B2 dhe A3.
“Nga menaxhmenti u njoftova që dy njësitë, B2 dhe A3, priten të kthehen në operim gjatë mbrëmjes së nesërme”, ka shkruar ajo.
Postimi i plotë:
KEK: Divizioni për Prodhimin e Qymyrit, TC “Kosova A”, TC “Kosova B”
Aktualisht janë duke operuar tri njësi (B1, A4 dhe A5) të Korporatës Energjetike të Kosovës ndërsa ekipet teknike janë të angazhuara me tri ndërrime, 24 orë pandalur, për t’i rikthyer sa më shpejt në operim edhe njësitë B2 dhe A3.
Nga menaxhmenti u njoftova që dy njësitë, B2 dhe A3, priten të kthehen në operim gjatë mbrëmjes së nesërme.
Nga KEK-u presim që gjatë kësaj periudhe të ftohtë kur kërkesa është e lartë, të punojë me 5 blloqe. Ndonëse kjo është sfiduese, TC Kosova A ka operuar me të tri njësitë njëkohësisht për 22 ditë që nga 19 dhjetori deri më sot, për çfarë i jemi falënderues secilit punëtor e menaxher, që janë shtylla e sistemit tonë elektroenergjetik. Për krahasim, për 25 vitet e kaluara KEK ka punuar me 5 njësi vetëm 55 ditë në total.
Nga menaxhmenti dhe nga çdo punonjës i KEK-ut pres angazhim dhe përgjegjësi maksimale për t’i sjellë të gjitha njësitë në operim dhe për t’i mbajtur në operim gjatë këtyre muajve të ftohtë.
Furnizimi i rregullt me qymyr nga Divizioni për Prodhimin e Qymyrit është parakusht që këto njësi të mbahen në operim pa ndërprerje, andaj pres përkushtim dhe përgjegjësi nga i gjithë zinxhiri i prodhimit. Njëkohësisht, shpreh mirënjohjen dhe falënderimin tonë për angazhimin deri në vetëmohim të punonjësve që në kushte të vështira po e mbajnë sistemin në punë me 3 blloqe dhe po punojnë paralelisht për rikthimin e njësive tjera.
Njëkohësisht, i ftoj qytetarët të kursejnë energjinë për aq sa është e mundur, veçanërisht në këtë periudhë kur kërkesa është e lartë në mënyrë që të kontribuojmë së bashku në sigurinë energjetike të vendit.



