Shkruan: Hisen Berisha / Paqja përmes drejtësisë dhe liria e fituar si kategori historike, në përvjetor amshimi

Përvjetori i ndarjes nga jeta të Dr. Ibrahim Rugovës, Presidentit të parë të Kosovës së lirë, na përkujton në figurën qendrore që e ndërtoi dhe artikuloi strategjinë e rezistencës paqësore aktive të shqiptarëve në një nga periudhat më represive të Evropës së pas Luftës së Ftohtë.
Në historinë moderne evropiane, do mbetet një udhëheqës që e ktheu durimin në strategji politike, moralin në instrument shtetformues dhe paqen në mjet legjitimiteti ndërkombëtar.
Rugova si intelektual publik, i cili erdhi nga bota e dijes dhe kulturës, dhe si studiues i letërsisë, e kuptoi herët se identiteti kombëtar dhe projekti shtetëror mbi të drejtën, ndërtohen mbi forcë, por edhe mbi vlera universale, institucione funksionale dhe aleanca strategjike.
Ai mendonte në dimensione historike, jo ditore; në afate shtetndërtimi, jo cikle politike.
Për Rugovën, shteti ishte produkt i legjitimitetit të brendshëm dhe ndërkombëtar, i miqësisë me Perëndimin dhe i një vizioni të qartë për të ardhmen.
Në vitet e errëta të shtypjes komuniste jugosllave, kur dhunën donin të na e impononin si rrugën e vetme, Rugova zgjodhi një alternativë që shumëkush e konsideroi të pamundur, rezistencën paqësore si formë epërsie morale dhe politike.
“Ne nuk duam hakmarrje, duam liri,” theksonte ai, duke e zhvendosur konfliktin e parakohshëm nga fusha e armëve në atë të ndërgjegjes ndërkombëtare.
Ndërtimi i institucioneve paralele të arsimit dhe shëndetësisë, mbrojtjes e sigurisë, mbajti gjallë shoqërinë dhe i dha kuptim konceptit të qëndresës pa e sakrifikuar paqen.
Vizioni i tij për Kosovën ishte i qartë dhe i pandryshueshëm, një shtet i pavarur, sovran, demokratik dhe i integruar në botën euroatlantike dhe aleancen e përhershme me SHBA.
“Pavarësia e Kosovës është e panegociueshme,” theksonte ai, si orientim strategjik.
Në skenën ndërkombëtare, Rugova u shndërrua në zërin e matur dhe të besueshëm të një populli të mohuar, duke folur me gjuhën e të drejtave të njeriut, vetëvendosjes dhe stabilitetit evropian.
“Kosova është çështje e lirisë dhe e paqes në Evropë,” ishte deklarata përmes së cilës me elegancë, e vendosi fatin e saj në kontekstin e sigurisë kontinentale.
Kjo qasje e bëri atë partner të besueshëm për Perëndimin dhe kontribuoi në ndërhyrjen ndërkombëtare që i dha fund spastrimit etnik.
Megjithatë, vizioni i Rugovës për paqe dhe drejtësi nuk mund të kuptohet i plotë, e as i drejtë, nëse trajtohet i shkëputur nga sakrifica e atyre që, përballë shfarosjes sistematike, morën mbi vete barrën e luftës së armatosur për liri.
Kur represioni i regjimit serb arriti kulmin, historia dëshmoi se mbijetesa e një populli kërkonte edhe rezistencë të armatosur.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk u shfaq si mohim i vizionit të paqes, por si përgjigje historike ndaj një realiteti ku paqja pa drejtësi dhe drejtësia e garantuar jo vetëm në norma e deklarata, por e mbështetur nga forca, ishte bërë e pamundur.
Sakrifica e figurave si Sali Çeku, Adem Jashari, Zahir Pajaziti, Agim Ramadani, Sadri Zeneli, Luan Haradinaj dhe shumë të tjerë, e vendosi lirinë e Kosovës në një pikë pa kthim. Këta korifej të luftës për liri nuk luftuan kundër paqes por ata u flijuan për ta bërë atë të mundur, me forcën e UÇK dhe Aleatëve.
Rugova dhe UÇK-ja vepruan në rrethana të ndryshme, por me të njëjtin synim final, lirinë dhe shtetin e Kosovës. Në këtë kuptim, ato nuk përfaqësojnë dy narrativa kundërshtuese, por dy faza të së njëjtës përpjekje historike.
Njëra ndërtoi legjitimitetin ndërkombëtar, tjetra e mbrojti atë me gjak.
Njëra i dha Kosovës zë, tjetra i dha Kosovës mbijetesë.
Jeta personale dhe familjare e Rugovës u shënua nga sakrifica e heshtur, presioni i vazhdueshëm dhe izolimi politik. Qëndrimi i tij i qetë, gjuha e matur dhe refuzimi i opsionit të luftës së parakohshme me paqe, u bënë simbole të një udhëheqjeje që fitoi betejën e legjitimitetit pa e humbur busullën morale.
Thëniet e tij, si “Nuk mbahet shtëpia pa miq” apo “Nëse do të ecësh sigurt, ec me miq”, nuk ishin figura letrare, por udhërrëfyes konkretë të qasjes së tij ndaj shtetndërtimit, diplomacisë dhe aleancave strategjike.
Sot, Ibrahim Rugova mbetet figurë themelore e historisë moderne të Kosovës dhe arkitekt i projektit të saj shtetëror. Trashëgimia e tij është më e qartë sot sesa në kohën e tij. Ai ndërtoi boshtin e miqësisë me Perëndimin dhe e ankoroi Kosovën në sistemin e vlerave demokratike.
Në këtë 21 janar, përkujtimi i Rugovës është njëkohësisht përkujtim i të gjithë atyre dishepujve që ranë për misionin e lirisë së Kosovës. Sepse paqja për të cilën ai besonte nuk ishte paqe e nënshtrimit, por paqe e fituar përmes drejtësisë, dhe drejtësia, në historinë e Kosovës, kaloi si përmes diplomacisë, ashtu edhe përmes flijimit suprem.



