Brahimaj: 22 Janari – Ditë kujtese dhe krenarie për Luftën Çlirimtare
Ish-njëri ndër themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjenerali Lahi Brahimaj, ka kujtuar 22 janarin e vitit 1998 si një ditë të veçantë kujtese dhe krenarie për luftën çlirimtare.
Ai ka shkruar se më 22 janar 1998, në kohën kur familja Jashari u sulmua në Prekaz, ai ndodhej në Bajram Curr, në shtëpinë e Besnik Krasniqit, e cila shërbente si strehë e UÇK-së. Sipas tij, aty ishin të pranishëm edhe heronjtë Mujë Krasniqi, Ilir Konushevci, Qerim Kelmendi, si dhe bashkëluftëtarë të tjerë, ndër ta Rexhep Selimi, i cili tash e pesë vite po mbahet padrejtësisht në Hagë, Nasim Haradinaj dhe Xhabir Zharku.
Brahimaj thekson se lajmi për sulmin ndaj familjes Jashari i vuri menjëherë në lëvizje, pa asnjë hezitim. Ndërsa Jasharajt po zmbrapsnin forcat armike në Prekaz, ai shkruan se bashkëluftëtarët e tij arritën të fusin në Kosovë 96 armë, duke u përgatitur për luftën që po vinte.
“Sot një pjesë e tyre nuk janë më, por lavdia e tyre jeton përjetë. Lavdi Dëshmorëve!”, ka përfunduar ai.




