Mbi 1 600 premtime nga kryetarët e rinj të komunave, infrastruktura kryefjala e mandatit
Instituti GAP gjatë një konference për medie të enjten ka shpalosur premtimet që kryetarët e rinj të komunave kanë dhënë për mandatin qeverisës 2025-2029.
Gjithsej, Instituti GAP ka evidentuar 1 683 premtime të dhëna në 26 komuna, që paraqet 132 premtime më pak sesa në mandatin e kaluar.
Sipas GAP-it, rritja më e madhe e numrit të premtimeve është shënuar në Lipjan, Deçan, Fushë-Kosovë, Drenas, Obiliq dhe Podujevë.
Në anën tjetër, rënien më të madhe e ka pësuar Prishtina, nga 206 në 115 premtime, e ndjekur nga Kaçaniku, Suhareka, Shtimja, Mitrovica e Jugut, Rahoveci, Hani i Elezit, Malisheva, Klina dhe Istogu.
Bekim Salihu, analist politikash në Institutin GAP, tha se fusha me numrin më të madh të premtimeve në këtë mandat ishte infrastruktura, me gjithsej 382 premtime. Pas saj renditet arsimi me 322 premtime, shërbimet publike me 184 premtime dhe shëndetësia me 146 premtime. “Gjithsej, Instituti GAP ka evidentuar 1 683 premtime të dhëna në 26 komuna, që paraqet 132 premtime më pak sesa në mandatin e kaluar. Rritja më e madhe e numrit të premtimeve të dhëna është shënuar në Lipjan, Deçan, Fushë-Kosovë, Drenas, Obiliq, dhe Podujevë. Nga këto komuna, Lipjani ka shënuar rritjen më të theksuar, nga 61 premtime në mandatin 2021-2025, në 170 premtime në këtë mandat; Deçani nga 20 në 124 premtime; Fushë Kosova nga 35 në 110 premtime; Drenasi nga 37 në 88; Obiliqi nga 69 në 104; ndërsa Podujeva nga 61 në 88 premtime të dhëna. Në anën tjetër, rënien më të madhe e ka pësuar Prishtina, nga 206 në 115 premtime, e ndjekur nga Kaçaniku, Suhareka, Shtimja, Mitrovica e Jugut, Rahoveci, Hani i Elezit, Malisheva, Klina dhe Istogu’’, tha Salihu.
Tutje, u theksua se kryetari fitues në Skenderaj, ai në Mamushë dhe dhjetë kryetarët në komunat me shumicë të komunitetit serb nuk kanë shpalosur asnjë premtim zgjedhor, dhe se, nga 26 kryetarë fitues, 17 kanë pasur program të shkruar zgjedhor, kurse nëntë të tjerë kanë prezantuar premtime gjatë aktiviteteve zgjedhore ose përmes paraqitjeve mediale.
“Fusha me numrin më të madh të premtimeve në këtë mandat është infrastruktura, me gjithsej 382 premtime. Pas saj renditet arsimi me 322 premtime, shërbimet publike me 184 premtime dhe shëndetësia me 146 premtime. Në fushat e ekonomisë, bujqësisë, kulturës, sportit dhe çështjeve sociale numri i premtimeve të dhëna është i përafërt me mandatin e kaluar, përkatësisht rreth ose mbi 100 premtime secila. Më së paku premtime janë dhënë në fushën e urbanizimit (gjithsej 51 premtime) dhe në administratë (50 premtime). Këto të dhëna tregojnë se infrastruktura është rikthyer si prioriteti kryesor në mandatin e ri, duke zëvendësuar shërbimet publike që kishin zënë hapësirën më të madhe në mandatin e kaluar”.
“Në zgjedhjet e fundit lokale për kryetarë/e komunash kanë garuar 185 kandidatë, prej të cilëve 165 kanë qenë të propozuar nga subjektet politike, ndërsa pjesa tjetër kanë garuar nga iniciativa qytetare ose si kandidatë të pavarur. Nga 185 kandidatë, vetëm 20 kanë qenë gra dhe prej tyre, vetëm një është zgjedhur kryetare, nga gjithsej 38 kryetarë të zgjedhur. Këtë mandat, Lëvizja Vetëvendosje (VV), Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) do të udhëheqin me nga shtatë komuna secila; Lista Serbe (LS) me dhjetë komuna; Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me pesë komuna; ndërsa Nisma Socialdemokrate dhe Partia Turke e Kosovës me nga një komunë. Për dallim nga mandati i kaluar, ku pushteti nga një parti në tjetrën kishte ndryshuar në 12 komuna, përkatësisht në Prishtinë, Shtime, Gjilan, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Prizren, Han i Elezit, Vushtrri, Dragash, Junik, Mamushë dhe Skenderaj, në këtë mandat kjo ka ndodhur në tri komuna: Fushë-Kosovë, Obiliq dhe Mitrovicë e Jugut. Kryetari fitues në Skenderaj, ai në Mamushë dhe dhjetë kryetarët në komunat me shumicë të komunitetit serb nuk kanë shpalosur asnjë premtim zgjedhor. Nga 26 kryetarë fitues, 17 kanë pasur program të shkruar zgjedhor, ndërsa nëntë të tjerë kanë prezantuar premtime gjatë aktiviteteve zgjedhore ose përmes paraqitjeve mediale”, ka deklaruar Bekim Salihu, analist politikash në Institutin GAP. /Ekonomia Online



