Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) i kanë dhuruar Kosovës një skaner, i cili do të vendoset në pikën kufitare në Merdare.
Ambasada amerikane ka thënë se arsyeja pse ShBA-ja është krenare që i ndihmon Kosovës në sigurinë kufitare është lufta ndaj trafikimit të paligjshëm të mallrave.
“Lufta kundër trafikimit të paligjshëm dhe parandalimi i përhapjes së mallrave të falsifikuara i bën bizneset amerikane dhe kosovare më të forta dhe më të begata. Kjo është arsyeja pse Shtetet e Bashkuara janë krenare që forcojnë sigurinë kufitare të Kosovës përmes një skaneri ‘Rapiscan’, prodhim amerikan, në vlerë prej 3 milionë dollarësh. Kjo teknologji rrit aftësitë e zbulimit, mbështet tregtinë e ligjshme dhe avancon interesat e përbashkëta të sigurisë dhe ekonomisë”, ka njoftuar Ambasada e ShBA-së në Kosovë.
E ngarkuara me punë e ambasadës amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati, bashkë me ministrat në detyrë, Xhelal Sveçla e Hekuran Murati, kanë përuruar këtë investim të enjten në Merdare.