Aksion policor në Prizren pas dyshimeve për keqpërdorim të votave
Autoritetet për zbatim të ligjit në Kosovë janë duke e kryer një operacion në rajonin Prizrenit në lindje të vendit lidhur me dyshimet për keqpërdorim të votave të zgjedhjeve të parakohshme të dhjetorit, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Luljeta Mehmeti.
Mehmeti nuk dha hollësi të tjera, duke thënë se ato do të bëhen të ditura pas përfundimit të aksionit të së premtes.
“Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren, sot është duke zhvilluar një operacion në rajonin e Prizrenit lidhur me dyshimet për keqpërdorim të votave”, tha ajo.
Derisa pak hollësi janë bërë të ditura lidhur me këtë aksion, Betimi për Drejtësi – medium i specializuar për raportime në fushën e drejtësisë – raportoi se mbi 100 zyrtarë janë thirrur për t’u marrë në pyetje dhe se pritet të ketë arrestime.
Ky aksion vjen pas dyshimeve se ka pasur manipulime të mëdha me vota, veçanërisht brenda subjekteve politike, në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.
Kjo madje e detyroi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ta nisë rinumërimin e plotë të votave, i cili është duke vazhduar tash e disa ditë.
Në fillim të muajit, komisioni gjeti mospërputhje në votat për kandidatët për deputetë pas një hetimi fillestar dhe më pas zbuloi gjatë rinumërimit të pjesshëm se dallimet në vota ishin të mëdha.
Si pasojë, prokurorët filluan të mblidhnin të dhëna lidhur me dyshimet për manipulime të mundshme me vota, ndërsa komisioni e shkarkoi përfaqësuesit politikë në komisionin e vet komunal në Prizren.
Në Kosovë manipulimi i votave është vepër penale e dënueshme me burgim.
Megjithatë, së voni organizata joqeveritare, ÇOHU, e publikoi një hulumtim që tregoi se mbi 90 për qind e rasteve për manipulime zgjedhore përfundojnë me dënime me kusht ose gjoba.
Shumica e kandidatëve për deputetë të cilëve u janë hequr më së shumti vota gjatë rinumërimit, e kanë mohuar të kenë pasur gisht në keqpërdorim dhe kanë thënë se e dënojnë këtë dukuri.



