Burgjet kanë vend të mjaftueshëm për ‘dallavergjitë’ e votave, 800 shtretër të lirë

23 janar 2026 | 14:23

Shërbimi Korrektues i Kosovës (ShKK) ka dalë me reagim lidhur me raportimet për mungesë të hapësirave nëpër burgje, për të arrestuarit nga aksioni i sotëm i Prokurorisë së Prizrenit për manipulim të votave.

ShKK-ja ka bërë me dije se aktualisht në institucionet korrektuese janë në mbajtje gjithsej 1 mijë e 758 të burgosur, ndërsa kapacitetet ekzistuese lejojnë akomodimin e rasteve të reja.

Sipas këtij institucioni, në dispozicion janë rreth 800 shtretër të lirë, duke hedhur poshtë pretendimet për mungesë kapacitetesh.

“Institucionet korrektuese kanë hapësira të mjaftueshme për pranimin e rasteve të reja, prandaj pretendimet për mungesë kapacitetesh nuk qëndrojnë”, ka njoftuar ShKK-ja.

Shërbimi Korrektues i Kosovës (ShKK) ka theksuar se ky sqarim bëhet me qëllim të informimit të saktë të opinionit publik dhe parandalimit të keqinformimit.

“Ky njoftim bëhet me qëllim të informimit të saktë të opinionit publik dhe parandalimit të keqinformimit. Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Policia e Republikës së Kosovës kanë marrëveshje mirëkuptimi për bashkëveprim institucional, në kuadër të së cilës, varësisht nga situatat e krijuara, mund të shfrytëzohen përkohësisht objektet e njëra-tjetrës”, ka njoftuar ShKK-ja.

Prokuroria Themelore e Prizrenit ka paralajmëruar një konferencë për media lidhur me aksionin e Prokurorisë Themelore në Prizren, mbi falsifikimin e rezultateve zgjedhore, gjatë numërimit brenda subjekteve politike për deputet të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në regjionin e Komunës së Prizrenit.

Sipas njoftimit konferenca pritet të mbahet në orën 15:00 në objektin e Prokurorisë Themelore në Prizren, kati tretë, salla e takimeve.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në kohën kur raportet transatlantike po lëkunden dhe rendi ndërkombëtar…