Kryeziu kërkon përsëritjen e zgjedhjeve në Prizren

26 janar 2026 | 13:09

Drejtori i KDI-së, Ismet Kryeziu, ka kërkuar përsëritjen e procesit zgjedhor në Prizren.

Ai ka thënë se është manipuluar vullneti qytetar, me prekjen e 60 mijë votave.

“… duke u mbështetur në parimet themelore demokratike dhe në të drejtën tonë qytetare për zgjedhje të lira dhe të ndershme, kërkoj përsëritjen e zgjedhjeve në Komunën e Prizrenit, si mjeti i vetëm proporcional dhe i drejtë për të rivendosur besimin në procesin zgjedhor dhe në përfaqësimin politik të qytetarëve. Kjo kërkesë nuk është politike dhe nuk është e drejtuar kundër individëve të caktuar. Ajo është një kërkesë për drejtësi zgjedhore, transparencë institucionale dhe respektim të vullnetit të lirë të qytetarëve të Prizrenit”, ka shkruar Kryeziu në “Facebook”.

Postimi i plotë:

KËRKESË PUBLIKE PËR PËRSËRITJEN E ZGJEDHJEVE NË KOMUNËN E PRIZRENIT

Si qytetar dhe votues i Komunës së Prizrenit, shpreh shqetësimin tim, por edhe të shumë bashkëqytetarëve të mi, lidhur me cenimin e integritetit të procesit të fundit zgjedhor, ku zbulimi i parregullsive serioze dhe i manipulimeve ka prekur mbi 60 mijë vota të qytetarëve.

 

Shkarkimi i anëtarëve të Komisionit Komunal të Zgjedhjeve, arrestimi dhe ngritja e aktakuzave ndaj mbi 100 komisionerëve zgjedhorë, si dhe korrigjimi i votave për kandidatë të caktuar – të cilët edhe pas këtyre korrigjimeve vazhdojnë të kenë numër të mjaftueshëm votash për të siguruar mandate deputetësh – dëshmojnë se ky proces ka qenë thellësisht i kontaminuar.

Në këto rrethana, ky proces nuk e përmbush asnjë standard zgjedhor për t’u certifikuar si proces i rregullt dhe i besueshëm.

Përkundër që votat e manipuluara po anulohen, procesi prapë mbetet I komprometuar, sepse korrigjimet teknike asnjëherë nuk janë të mjaftueshme për të rikthyer besimin publik dhe për të garantuar se rezultati përfundimtar pasqyron realisht vullnetin e lirë të qytetarëve.

Edhe pse institucionet e drejtësisë ende nuk kanë dhënë vendime përfundimtare lidhur me përgjegjësinë individuale të kandidatëve, besimi në integritetin e përfaqësuesve të zgjedhur është dëmtuar rëndë. Në një demokraci funksionale, legjitimiteti i mandatit buron jo vetëm nga ligjshmëria formale, por edhe nga besueshmëria e procesit që e prodhon atë.

Gjithashtu, edhe sikur kandidatët e përfshirë do të merrnim vendim për t’u tërhequr nga të qenit deputetë për arsye etike, mendoj që votuesit e Prizrenit nuk do të duhej të penalizohen për parregullsitë që nuk i kanë shkaktuar vetë, e aq më pak që qyteti i tyre të mbetet i papërfaqësuar në Kuvendin e Kosovës.

Prandaj, duke u mbështetur në parimet themelore demokratike dhe në të drejtën tonë qytetare për zgjedhje të lira dhe të ndershme, kërkoj përsëritjen e zgjedhjeve në Komunën e Prizrenit, si mjeti i vetëm proporcional dhe i drejtë për të rivendosur besimin në procesin zgjedhor dhe në përfaqësimin politik të qytetarëve.

Kjo kërkesë nuk është politike dhe nuk është e drejtuar kundër individëve të caktuar. Ajo është një kërkesë për drejtësi zgjedhore, transparencë institucionale dhe respektim të vullnetit të lirë të qytetarëve të Prizrenit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka shkatërruar materialin zgjedhor të…