Manipulimi i idesë së bashkimit kombëtar dhe vetëdemantimi i Albin Kurtit
Shkruan: Hisen Berisha
(Nuk mund të kërkojnë pjesët t’i bashkohen tërësisë; është tërësia ajo që kërkon rikthimin e pjesëve të shkëputura)
Në themel të çdo procesi serioz të bashkimit kombëtar qëndron një parim i thjeshtë, por i pamohueshëm, se pjesët nuk i kërkojnë bashkim tërësisë por është tërësia, trungu natyror, historik dhe politik, ajo që kërkon rikthimin e pjesëve të shkëputura padrejtësisht. Çdo përmbysje e këtij parimi nuk është teori politike, por manipulim ideologjik.
Interpretimi që Albin Kurti i bën teorive të ashtuquajtura të “bashkimit kombëtar” përfaqëson pikërisht këtë përmbysje. Sipas tij, Kosova duhet ta kërkojë bashkimin me Shqipërinë, me arsyetimin se Shqipëria është shtet më herët dhe se “ne duhet ta bëjmë hapin”. Ky arsyetim nuk qëndron as historikisht, as politikisht, as juridikisht. Ai e zhvendos barrën e përgjegjësisë nga trungu te pjesa, nga subjekti natyror i bashkimit te fragmenti i prodhuar nga padrejtësia historike.
Në këtë pikë, Albin Kurti nuk mund të trajtohet më si politikan i gabuar në teori, por si aktor politik që me vetëdije prodhon konfuzion kombëtar. Ai nuk gabon rastësisht!
Ai ndërton narrativë të rreme për të zhvendosur përgjegjësinë historike të bashkimit nga trungu te fragmenti.
Ky nuk është keqkuptim ideologjik, por strategji politike për të legjitimuar ndarjen ekzistuese dhe për ta shitur atë si “realizëm”. Instrumentalizimi i termit “bashkim kombëtar” nga Kurti shërben për konsum elektoral, pa asnjë plan juridik, diplomatik apo strategjik, duke e përdorur Kosovën si subjekt fiktiv të bashkimit, ndonëse e di se kjo e bën procesin të pamundur në rendin aktual ndërkombëtar.
Kur kësaj i shtohet edhe citimi i figurave të së majtës ideologjike, si teza se “bashkimi kombëtar nuk bëhet tinëz”, kemi të bëjmë jo me vizion shtetformues, por me retorikë mobilizuese për konsum të brendshëm, e cila shërben për të mbajtur në iluzion një masë të bindur përmes formulave të vjetra të indoktrinimit politik.
Një pjesë e elektoratit, e trajnuar përmes mekanizmave të trushpëlarjes ideologjike, vazhdon të besojë se Albin Kurti dikur e ka dashur sinqerisht bashkimin kombëtar, por nuk ka pasur fuqi politike. Sot, thonë ata, ai është politikani më i fuqishëm në Kosovë, prandaj duhet të realizojë atë që premtoi dikur. Ky arsyetim bie ndesh me faktet se, fuqia politike pa vullnet strategjik dhe pa orientim korrekt kombëtar nuk prodhon bashkim, por status quo të re, të kamufluar me patriotizëm verbal.
Nga këndvështrimi i së drejtës ndërkombëtare publike, këto teza bien ndesh me parimet e subjektivitetit ndërkombëtar, integritetit territorial dhe suksesionit shtetëror. Kosova, si njësi e dalë nga shpërbërja e Jugosllavisë dhe e krijuar nën mbikëqyrje ndërkombëtare, nuk gëzon kapacitet juridik për të inicuar procese bashkimi territorial jashtë kornizës së rendit ekzistues. Vetëm Shqipëria, si shtet i konsoliduar dhe subjekt i plotë i së drejtës ndërkombëtare, ka legjitimitetin politik dhe juridik për të artikuluar kërkesa për ribashkim. Çdo përpjekje për t’ia ngarkuar këtë barrë Kosovës përbën manipulim juridik dhe shmangie të përgjegjësisë shtetërore të Tiranës.
Analiza e qëndrimeve publike të Kurtit tregon qartë vetëdemantimin e tij. Teoritë që ai artikulon nuk synojnë bashkimin, por menaxhimin e ndarjes. Ato mbajnë në hipnozë vetëm ndjekësit e tij më besnikë, të cilët nuk arrijnë të kuptojnë misionin real që po zbatohet në dëm të interesit kombëtar.
Sepse e vërteta mbetet e pandryshueshme: nuk mund të kërkojnë pjesët t’i bashkohen tërësisë. Tërësia është ajo që vepron, që kërkon, që udhëheq dhe që merr përgjegjësi historike.
Në këtë kontekst, bashkimi i territoreve autentike shqiptare, sot nën juridiksionin e shteteve fqinje, mund të realizohet vetëm mbi dy shtylla reale: së pari, përmes kërkesës politike të Shqipërisë si trung natyror nga i cili këto territore janë shkëputur me vendime të padrejta ndërkombëtare; së dyti, përmes avancimit të statusit politik dhe institucional të këtyre territoreve etnike shqiptare, të cilat janë copëtuar përmes vendimeve të Shën Stefanit, Berlinit, Londrës 1912/13 dhe riorganizimeve pas dy luftërave botërore dhe shpërbërjes së Jugosllavisë.
Në kushtet e riorganizimit të rendit të sigurisë globale dhe rishpërndarjes së zonave të influencës, bashkimi kombëtar shqiptar nuk mund të trajtohet jashtë arkitekturës së re gjeostrategjike. Çdo proces serioz kërkon aleanca strategjike me fuqitë që garantojnë rendin ndërkombëtar, në radhë të parë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pa mbështetje amerikane dhe euroatlantike, çdo thirrje për bashkim mbetet retorikë e zbrazët dhe potencialisht destabilizuese. Shqipëria duhet të pozicionohet si aktor proaktiv, duke lidhur interesin kombëtar shqiptar me interesin strategjik të aleatëve që po formësojnë rendin e ri botëror.
Dhimbja historike e kombit shqiptar buron nga këto padrejtësi të akumuluara, të cilat nuk korrigjohen me slogane, por me procese të qarta politike. Rruga që duhet ndjekur sot është ndërtimi i identitetit politik territorial të këtyre pjesëve, në mënyrë që ato të jenë subjekte vendimmarrëse për statusin e tyre në kuadër të integrimeve ndërkombëtare.
Në këtë kuadër, bëhet e qartë se misioni politik i Albin Kurtit nuk është bashkimi, por administrimi i ndarjes nën petkun e patriotizmit.
Ai nuk e sfidon rendin që e ka copëtuar kombin shqiptar, përkundrazi, ai e normalizon atë.
Kjo është forma më e rrezikshme e mashtrimit politik, ajo që fshihet pas fjalëve të mëdha dhe retorikës morale, duke e mbyllur realisht çdo perspektivë të korrigjimit historik.



